Conor McGregor tërhiqet nga gara për President të Irlandës
Legjenda e UFC-së, Conor McGregor, ka bërë të ditur se po tërhiqet nga kandidimi për zgjedhjet presidenciale në Irlandë.
Ish-luftëtari i MMA-së, 37-vjeçar, njoftoi vendimin pas, siç tha vetë, një periudhe reflektimi dhe konsultimi me familjen. Megjithatë, ai theksoi se fushata e tij ka shërbyer për të “nxitur një debat të rëndësishëm mbi demokracinë në Irlandë, se kush ka të drejtë të kandidojë dhe si mund të sigurohet që presidenca t’i përkasë vërtet popullit”.
“Ky diskutim nuk do të përfundojë me tërheqjen time. Vala e ndryshimit ka nisur dhe nuk mund të ndalet,” – shkroi McGregor në rrjetet sociale, duke shtuar se kjo nuk është fundi i angazhimit të tij politik:
“Ky ishte hapi im i parë në politikë. Edhe pse këtë herë vendosa të tërhiqem, përparime të rëndësishme janë bërë. Nuk do të jetë zgjedhja ime e fundit, do të më shihni sërish duke luftuar për të drejtat e qytetarëve tanë.”
McGregor kishte pretenduar se kishte siguruar mbështetjen e nevojshme për të hyrë në garë, por pas tërheqjes së tij, në fletën e votimit mbeten tre kandidatë të konfirmuar: ish-ministrja Heather Humphreys për Fine Gael, ish-trajneri i futbollit të Dublinit, Jim Gavin, për Fianna Fáil, dhe deputetja e Galway West, Catherine Connolly, e mbështetur nga Laburistët, Social Demokratët dhe People Before Profit.
Tërheqja e tij vjen në një periudhë të vështirë për imazhin publik të McGregor, pasi në nëntor të vitit të kaluar ai u shpall përgjegjës në një proces civil për dhunim, duke u detyruar të paguante mbi 248 mijë euro dëmshpërblim.