Inaki Williams gati për debutimin në Champions: Më vjen keq për mungesën e Nicos

Pas më shumë se një dekade pritjeje, Inaki Williams do të debutojë më në fund në Champions League me fanellën e Athletic Bilbaos. Sulmuesi bask, që ka zhvilluar tashmë afro 500 ndeshje me skuadrën e tij, rrëfeu emocionet para përballjes së madhe kundër Arsenalit.

“Kam ende flutura në stomak,” – u shpreh Williams. – “Shpresoj që debutimi im të vijë me një fitore, por më vjen keq që nuk do ta përjetoj këtë moment me vëllanë tim, Nico. Për shumë nga ne është hera e parë dhe kemi luftuar shumë për të qenë këtu.”

Këtë sezon, sipas tij, presioni është i ndryshëm krahasuar me vitin e kaluar, kur synimi ishte triumfi në Europa League:

“E dimë që grupi është i vështirë, por nuk jemi të mposhtur. Nëse punojmë me përulësi, mund të arrijmë larg. Do të ishte fantastike të rikthenim netët e mëdha europiane.”

Përballja me ish-shokët Merino dhe Zubimendi nga Real Sociedad e bën edhe më të veçantë sfidën: “Për ta është një rikthim në shtëpi, do të kenë të afërmit në stadium. Për ne është një ëndërr të jemi këtu, nuk kemi frikë nga askush.”

Athletic do të ketë mungesa të rëndësishme, mes tyre Nico Williams, i ndalur nga një dëmtim në aduktor, dhe Aymeric Laporte, që ende pret miratimin e UEFA-s. “Laporte është fitues i madh dhe do të sillte eksperiencë, është për të ardhur keq që mungon,” – tha Inaki.

Sa për paraqitjet personale, ai mbeti i vetëkritik: “Do të doja të kisha shënuar më shumë gola e të kisha dhënë më shumë asiste, por punoj me të njëjtën përkushtim. Rastet po krijohen, tani mbetet të vijnë edhe golat.”