Rubin: Nuk kam informacione që lidhin Thaçin ose Krasniqin me pretendimet për ekzekutime njerëzish
Seanca e sotme në Dhomat e Specializuara në Hagë është aktualisht në psuhimin e drekës, ndërsa dëshmitari James Rubin ka dhënë një pasqyrë të qartë mbi rolin e Hashim Thaçit gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Sipas dëshmisë së Rubin, Thaçi vepronte kryesisht si një udhëheqës politik brenda UÇK-së, pa kompetenca për të marrë vendime ushtarake. Çdo vendim i rëndësishëm në aspektin ushtarak duhej të miratohej nga komandantët e terrenit, çka sipas Rubin tregon një ndarje të qartë mes strukturës politike dhe asaj ushtarake të UÇK-së.
Rubin theksoi se Thaçi, Jakup Krasniqi dhe disa udhëheqës të tjerë të organizatës ishin të moderuar dhe të përkushtuar për të fituar mbështetjen e perëndimit, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara. Ai shtoi se Thaçi e shihte Amerikën si simbol të fuqisë dhe prioriteti i tij politik ishte të siguronte përkrahjen amerikane për çështjen e Kosovës.
Në dëshminë e tij, Rubin deklaroi se nuk ka asnjë informacion që lidh Thaçin apo Krasniqin me krime lufte apo ekzekutime gjatë periudhës së luftës.
Seanca pritet të rifillojë pas pauzës së drekës./REL