Trashëgimtari i birrës së njohur gjermane Veltins jeton me ndihmë ekonomike
Nga Charmaine Fischer, BILD
Carl-Clemens Veltins vjen nga një prej familjeve më të mëdha të fabrikave të birrës në Gjermani. Por, ndryshe nga dy motrat e tij, ai mbeti pa asgjë nga trashëgimia milionëshe. 63-vjeçari ka qenë në burg dhe për një periudhë jetoi me ndihmën sociale (Bürgergeld).
Kundër dy motrave, Susanne dhe Frauke, ai e çoi çështjen në gjykatë. Nëna e kishte përjashtuar nga testamenti dhe pasuria iu nda atyre. Gjykata e Landit në Arnsberg hodhi poshtë padinë, por Carl-Clemens Veltins nuk u dorëzua dhe bëri ankim.
Në një intervistë për revistën Spiegel, ai pranoi se mbiemri i njohur shpesh është një barrë e rëndë. “Nuk është e lehtë të jesh një Veltins, nëse nuk ke buxhetin përkatës. Kur merr pjesë diku, të gjithë presin që të vish me lopatën e madhe të parave”, tha ai.
Por pritshmëritë e të tjerëve nuk mund t’i përmbushte. Deri para pak kohe jetonte me ndihmën sociale, të cilën më pas e ndërpreu. “Tani më ndihmojnë miqtë”, shtoi ai. “Kur kjo punë të ketë mbaruar, do të kthehem të jetoj në Tenerife dhe do ta nxjerr barkun në diell”.
Vetë procesi gjyqësor, sipas tij, i ka kushtuar pothuajse një milion euro. “Kam një financues të shpenzimeve gjyqësore, dikë që beson se padia mund të ketë sukses dhe që më pas merr një pjesë përqindjeje”, shpjegoi Veltins për Spiegel.
Historia e tij me trashëgiminë lidhet me vitin 1994, kur nëna e tij Rosemarie Veltins (†56) vdiq. Në atë kohë ai nuk mori asgjë. Sipas versionit të tij, pas festës së ditëlindjes së 18-të deri vonë në mesnatë, nëna e zgjoi herët në mëngjes dhe e çoi tek një noter. “Nënshkrova, pak i turbulluar dhe pa asnjë këshillim, një fletë të përgatitur DIN-A5,” tha ai. Me atë firmë, hoqi dorë vullnetarisht nga pjesa e detyrueshme e trashëgimisë.
Në rini, Carl-Clemens Veltins u quajt “dele e zezë” e dinastisë së birrës. Në vitin 1984 madje hyri me forcë në vilën e nënës së tij dhe i vodhi koleksionin e armëve të gjuetisë.
Megjithatë, ai këmbëngul se ndaj familjes ka qenë gjithmonë besnik: “Nuk dua t’i bëj keq, dua vetëm të drejtën time!”, deklaroi Carl-Clemens Veltins pak para procesit gjyqësor të vitit 2024 për gazetën BILD.