Prishjet në Valbonë/ Çelaj: Qarku më i varfër në Shqipëri! Gjeneza e rilindjes, hakmarrje ndaj atyre që nuk e votuan

Deputet i PD për Kukës, Has dhe Tropojë, Isuf Çelaj ka folur për aksionin e urdhëruar nga kryeministri për prishjen e banesave në Valbonë, të cilat përdoreshin nga banorët për qëllime turizmi.

Sipas Çelës, hallet e malësorëve të Malësisë së Gjakovës, Hasit dhe Malësisë së Lumës janë të njëjta pasi ky qark është qarku më i varfër në Shqipëri.

‘Detyra e shtetit është t’i krijojë kushte atyre banorëve. Nuk do kishte ndërtuar ai po të kishte funksionuar shteti tamam’, theksoi Çela.

Gjithashtu, sipas deputetit demokrat, në gjenezën e rilindjes është shkatërrimi dhe hakmarrja ndaj atyre që nuk e kanë votuar.

Çelaj: Të mos i ndajmë... Hallet e malësorëve të Malësisë së Gjakovës, Hasit dhe Malësisë së Lumës janë një për mua. Ky qark është qarku më i varfër në Shqipëri. Një qark që qeveria e sheh me syrin e njerkës. Detyra e shtetit është t’i krijojë kushte atyre banorëve. Nuk do kishte ndërtuar ai po të kishte funksionuar shteti tamam. Bashkia e Tropojës është mbi një vit pa kryetar bashkie. Pa nënkryetar bashkie, e komanduar një kryetare e cila gjënë e parë që bëri ishte një urë për shtëpinë e vetë. Pra në gjenezën e rilindjes është shkatërrimi dhe hakmarrja ndaj atyre që nuk e kanë votuar. Tropoja nuk e ka votuar, Hasi nuk e ka votuar, Kukësi nuk e ka votuar. Pjesa e madhe e Veriut. Shih disbalancën e investimeve në Veri dhe pjesën tjetër. Tropojanit i duhet të kalojë katër herë doganën për të marrë një shërbim. Aty ka dy godina, godina e bashkisë dhe Komisariati i Policisë.