Vrasja e Charlie Kirk-ut tregon sa helmuese është bërë politika e së majtës

Nga Camilla Tominey/

Është e pamundur të imagjinohet një demonstrim më makabër e më i dhunshëm i heshtjes së lirisë së fjalës sesa të qëlluarit në qafë të mbrojtësit të saj kryesor, Charlie Kirk. Vendosja e fishekut, i qëlluar nga 130 metra larg, në momentin kur Kirk ishte në mes të fjalisë, ishte jashtëzakonisht simbolike. Mund të imagjinohet lehtësisht që vrasësi synonte të godiste kutinë e zërit, aty ku do të dhembte më shumë.

Sikur babai 31-vjeçar i dy fëmijëve të kishte shpëtuar për mrekulli, ai do të kishte qenë një version i heshtur i vetvetes së dikurshme; me shumë gjasa, i paaftë të komunikonte si më parë. Ky ishte sigurisht objektivi, t'i mbyllnin gojën, në një mënyrë ose tjetër.

Tani e dimë se municionet e gjetura me pushkën e fuqishme me kalibër .30, ishin të gdhendura me atë që policia e përshkroi si "ideologji antifashiste".

Kushdo që e bëri këtë, besonte me të vërtetë se vrasja e dikujt me të cilin nuk pajtohej mund të justifikohej në emër të "antifashizmit", se ky akt ekstrem i intolerancës mund të paraqitej si një fitore për liberalizmin. Në të vërtetë, ishte një kujtim i frikshëm i më së keqes së ekstremit të djathtë për të cilin akuzohej Kirk-u: një ekzekutim publik për një kauzë të supozuar më të lartë.

Mbështetësit e Kirk-ut në Turning Point USA, lëvizja rinore konservatore që ai bashkëthemeloi si 18-vjeçar në vitin 2012, pretendojnë se retorika anti-djathtiste është fajtore për vdekjen e tij. Por fjalët nuk vrasin, njerëzit po.

Nuk mund të pretendosh njëkohësisht se gjuha e dhunshme e së majtës ishte përgjegjëse për vrasjen e tij, ndërsa trazirat në Kapitolin e SHBA me 6 janar 2021 nuk u frymëzuan nga Donald Trump, i cili deklaronte: "Ne do ta ndalim vjedhjen" dhe "Nëse nuk luftoni si të çmendur, atëherë nuk do të keni më një vend". Nuk ka si të mos ketë ndikuar që Kirk-u u quajt "Hitler" dhe "Nazist", por nëse beson në lirinë e fjalës, duhet të mbështetësh të drejtën e njerëzve për të thënë për të tjerët çfarëdo që mendojnë.

Arsyeja pse disa në të majtën po kërcejnë paturpësisht mbi varrin e tij është se për një kohë të gjatë, pothuajse askush nuk po ngrihej pa komplekse për lirinë e fjalës për të gjithë. Thuajse askush tjetër nuk bënte atë që bënte Kirk-u. Kjo lejoi që të mbizotëronte një mendësi grupore sipas së cilës e majta ishin "të mirët" dhe e djathta ishin "të këqijtë". Nëse nuk pajtoheshe me deklarata si: "gratë trans janë gra", "jeta e të zinjve ka rëndësi" apo me koncepte si "teoria kritike e racës" dhe "gjenocidi izraelit", atëherë, konsideroheshe jo vetëm i gabuar, por shumë i lig.

Shkollat dhe universitetet, bizneset e mëdha, trupat qeveritare dhe joqeveritare e normalizuan këtë paragjykim duke u përkulur, fjalë për fjalë dhe figurativisht, para këtyre deklaratave pa asnjë debat apo diskutim. Nuk ishte vetë retorika, por heshtja e atyre që e kundërshtonin atë që e bëri të mundur këtë gjendje.

Kjo mungesë diskutimi të balancuar ka bërë që studentët në Oksford, supozohet mendjet tona akademike më të ndritura, të duket se po brohorasin për vdekjen e Kirk-ut. Ata festojnë vrasjen e dikujt thjesht sepse nuk janë mësuar me mësimin më themelor: Nëse nuk respekton mendimet e të tjerëve, nuk respekton as vetë njerëzimin.

Në vend të kësaj, ata janë rritur duke besuar se nuk kemi nevojë për të menduar në mënyrë kritike sepse ekziston vetëm një e vërtetë për të cilën e majta është arbitri përfundimtar. Kjo bën që edhe njerëzit e arsimuar të mendojnë se të jesh kategorik është e njëjta gjë me të qenit i informuar; se ndjenjat janë më të rëndësishme se faktet; se është tolerante të jesh intolerant.

Ata që shoqërojnë homazhet për Kirk-un me fraza për ato çështje ku nuk pajtoheshin me të, e humbasin kuptimin e tij. Nuk duhej të pajtoheshe me të në asgjë, duhej vetëm të mbështesje të drejtën e tij për të folur hapur dhe për t'u dëgjuar.

Kur të rinjtë ekspozohen vetëm ndaj njërës anë të çdo debati, atëherë ata përfundojnë me pikëpamje ekstreme, nga të dyja anët e përçarjes ideologjike. Kjo funksionon në të dy drejtimet. Një kritikë që iu bë Kirk-ut ishte se lista e profesorëve e Turning Point ishte krijuar për të trembur akademikët e majtë nga universitetet amerikane.

Ai u kritikua gjithashtu që refuzoi të debatonte me TikTokistin e majtë Dean Withers, i cili ka katër milionë ndjekës. Shpesh mungonte nuanca ndërsa Kirk, një provokator i vetëshpallur, sulmonte abortin, mbronte Amendamentin e Dytë dhe kundërshtonte martesat gay. Por kishte shumë më pak nuancë në fyerjet dhe urrejtjen e derdhur nga kritikët e tij.

Prandaj, ndonëse ajo që ka ndodhur është padyshim tronditëse, madje tmerruese, nuk është krejtësisht e papritur. Vetë Kirk kishte paralajmëruar se të ashtuquajturit liberalë do të braktisnin dialogun për shkatërrimin. Ky ishte motivi i turneve të tij publike në universitetet amerikane.

"Kur njerëzit ndalojnë së foluri, atëherë vjen dhuna," kishte thënë ai dikur. "Atëherë ndodh lufta civile, sepse fillon të mendosh se pala tjetër është aq e ligë, saqë humbet humanitetin e saj."

Kjo shpjegon pse të majtët po festojnë me gëzim vdekjen e tij në rrjetet sociale, pse demokratët nuk respektuan përpjekjet për të udhëhequr një lutje për Kirk-un në Dhomën e Përfaqësuesve dhe pse eurodeputetët refuzuan të merrnin pjesë në një minutë heshtje. Ata nuk mund të shfaqin as dhembshuri në një nivel njerëzor për vrasjen brutale të një burri dhe babai të dy fëmijëve të vegjël.

Kjo sepse disa në të majtën kanë bindur veten dhe të tjerët, se kanë gjithmonë të drejtë edhe kur e kanë gabim. Ata shpikin etiketa si #bekind dhe predikojnë "politikë më të butë, më të mirë" kur sjellja e tyre është shumë më e ashpër se çdo gjë që ka thënë ndonjëherë Kirk-u.

Etiketa shpiken shpejt për t'i frikësuar njerëzit që të heshtin. Kush shpreh shqetësime për identitetin gjinor quhet "transfob" ose "Terf". Kush vë në pikëpyetje karantinën është "anti-vaksinë". Kush ngre shqetësime për rritjen e ekstremizmit islamik, është "islamofob". Mendon se neto-zero është humbje e parave publike? Je mohues i ndryshimeve klimatike. Mbështet Izraelin? Je i çmendur gjenocidist.

Ironia e gjithë kësaj është se kjo shtypje e lirisë së shprehjes ka nxjerrë në pah më të keqen e atyre që përpiqen të heshtin të djathtën. Ata janë bërë fanatikët e rinj.

Mbështetësit e George Floyd-it thërrisnin fjalët e tij të fundit: "Nuk po marr dot frymë". Për Kirk-un dhe konservatorët e tjerë, mantra e viteve të fundit ka qenë: "Nuk flas dot". Të paktën, jo lirshëm. Ajo që ka ndryshuar që nga masakra e së mërkurës në Utah Valley University është se nuk jemi më në rrezik të censurohemi ose edhe të mohohemi për besimet tona, por të vritemi. Një vrasje politike në emër të progresivizmit? Charlie Kirk argumentonte se "korrektësia politike është arma politike më vdekjeprurëse".

Vrasësi i tij e vërtetoi këtë. / The Telegraph - Syri.net