Lula i Brazilit kundërshton tarifën e SHBA-së pas dënimit të Bolsonaros
Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, hodhi poshtë të dielën tarifën 50% mbi mallrat braziliane të importuara në SHBA, duke e cilësuar atë si një masë “politike” dhe “jologjike”.
Në një artikull të botuar në New York Times, Lula tha se Brazili është i hapur për negociata të ndershme, por theksoi se “demokracia dhe sovraniteti i Brazilit nuk janë në tryezë”.
Tarifat u vendosën nga presidenti amerikan Donald Trump në korrik, duke pretenduar se po i përgjigjej asaj që e quajti “gjueti shtrigash” kundër ish-presidentit Jair Bolsonaro. Por vendimi i Gjykatës së Lartë të Brazilit të enjten, i cili shpalli Bolsonaron fajtor për tentativë grushti shteti pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2022, ka rritur tensionet mes dy vendeve.
Lula e quajti vendimin e Gjykatës një “akt historik” që mbrojti demokracinë dhe zbuloi plane për atentate kundër tij, nënpresidentit dhe një gjyqtari të lartë. Ai paralajmëroi se rritja e tarifave amerikane nuk ka sens ekonomik, duke theksuar se SHBA ka përfituar një tepricë tregtare prej 410 miliardë dollarësh në 15 vitet e fundit.
Pas vendimit gjyqësor, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, paralajmëroi se administrata Trump “do të përgjigjet në përputhje me rrethanat”. Ministria e Jashtme braziliane i quajti këto komente një “kërcënim të papranueshëm”, duke këmbëngulur se gjyqësori është i pavarur dhe se Bolsonaro ka marrë një proces të rregullt ligjor.
Ndërkohë, Bolsonaro, që ndodhet në arrest shtëpiak, u shfaq për herë të parë publikisht pas vendimit duke u paraqitur për një procedurë mjekësore në një spital në Brasilia. Ish-presidenti 70-vjeçar iu nënshtrua heqjes së tetë lezionëve të lëkurës, ndërsa mbështetësit e tij u mblodhën jashtë spitalit duke brohoritur “Amnisti tani”.
Gjykata Supreme pritet të publikojë vendimin e plotë brenda 60 ditësh, ndërsa avokatët e Bolsonaros kanë paralajmëruar apel, megjithëse ekspertët juridikë vlerësojnë se shanset për sukses janë minimale.
Brazili po hyn në një fazë të re tensioni diplomatik me SHBA-në, ndërkohë që çështja Bolsonaro mbetet e ndezur brenda vendit.