Opozita serbe: Vuçiç blen turmat me para të zeza: 50 euro për çdo militant që del në protestë, ekzistojnë incizime...
Kryetari i Partisë së Lirisë dhe të Drejtësisë (SSP), Dragan Đilas, deklaroi sot se mbështetësit e Partisë Progresive Serbe (SNS) po paguhen me nga 50 euro për të marrë pjesë në protestat kundër bllokadave, duke theksuar se ekzistojnë edhe video që e provojnë këtë praktikë.
“Paratë iu shpërndanë dje mitingashëve lojalistë të Vuçiçit në Voždovac dhe në Novi Sad, për çka ka edhe incizime. Dihet se kjo ka ndodhur edhe në qytete të tjera dhe se kështu funksionojnë të gjitha tubimet e Vuçiçit prej vitesh,” u shpreh Đilas në një njoftim të SSP-së.
Sipas tij, një pjesë e vogël e njerëzve shkuan në miting pa shpërblim, vetëm për të parë presidentin, si kryeministri Đura Macuta apo dhjetëra pjesëtarë të njësisë elitare “Kobrat”. Megjithatë, ai theksoi se shumica e pjesëmarrësve janë të motivuar vetëm nga pagesat në para.
“Bëhet fjalë për dhjetëra mijëra euro para të zeza, që burojnë ose nga marrëveshje korruptive me shtetin, ose nga kriminaliteti, përfshirë tregtinë e drogës,” shtoi Đilas.
Ai akuzoi gjithashtu se pagesa janë bërë edhe për qëndrimin e pjesëmarrësve në Parkun “Pionir” dhe se metoda e njëjtë është përdorur me mbi 100 militantë të dërguar në Kampionatin Evropian në Riga për të penguar brohoritjet kundër Vuçiçit.
“Dy fluturime çarter, akomodim dhe ushqim për 20 ditë, bileta për ndeshje dhe shpërblime për militantët… Nëse nuk do të kishim dalë, kjo do të kishte kushtuar rreth një milion euro. Në fund, u harxhuan ‘vetëm’ 600 deri në 700 mijë euro. Por pyetja mbetet e njëjtë: kush siguron këto para?”, theksoi ai.
Đilas përfundoi duke thënë se fondet vijnë nga “para të paligjshme që burojnë nga tregtia e drogës ose marrëveshje të korruptuara dhe kriminale të partisë dhe rrethit të Vuçiçit, që po shkatërrojnë Serbinë”.
“Sot Serbia është ndër katër vendet më të korruptuara në botë, menjëherë pas Nepalit. Sikur të ekzistonin vërtet prokuroria dhe policia, ata do të kishin arrestuar që sot personat e kapur në kamera duke shpërndarë para, dhe shumë shpejt do të zbulohej burimi i tyre. Natyrisht, kjo nuk do të ndodhë tani, por incizimet ekzistojnë dhe nesër do të jenë bazë për hetime që do t’i çojnë shumë prej tyre aty ku e kanë vendin – në burg,” deklaroi ai.