Këlliçi: Karteli Soros dhe Narkoshteti i Ramës do të rrëzohen me çdo kusht

Pas konstituimit të Parlamentit të Shqipërisë, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, me anë të një reagimi në Facebook, shkruan se karteli Soros i ngritur në Shqipëri dhe narkoshteti i Edi Ramës do të rrëzohen me çdo kusht nga demokratët.

‘Pas farsës elektorale të 11 majit dhe rezultatit deformues për shoqërinë tonë, rikthehem në atë që do duhej të ishte tempulli i demokracisë, por që për fatkeqësinë e Shqipërisë është shndërruar në kopshtin personal të autokratit Edi Rama.’

Ai thekson detyrën e Partisë Demokratike dhe të deputetëve për të mbajtur fokusin tek qytetarët dhe shqetësimet e tyre, duke falënderuar në veçanti votuesit e Tiranës.

‘Pavarësisht të gjithave, është detyrë e Partisë Demokratike dhe e jona si deputetë të mbajmë fokusin tek shqiptarët, tek shqetësimet e qytetarëve dhe opozitarëve të Tiranës që na dhanë votëbesimin, në një klimë të paprecedentë të presionit politik.’

‘Mirënjohje pafund qytetarëve të Tiranës, e në veçanti banorëve të Njësive Administrative nr.2, nr.5, nr.9 dhe Vaqarrit, Pezës e Ndroqit, për rrugëtimin dhe betejën tonë të përbashkët, për të sjellë ndryshimin e shumëpritur. Ju garantoj se votëbesimi juaj nuk do të shkojë dëm. Personalisht kam dhënë prova për këtë!’, shkruan Këlliçi në reagimin e tij.

Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi ngriti shqetësimin për ‘gropën demografike’ dhe dramat familjare që vijnë nga shpopullimi, si dhe për rrënimin e ekonomive familjare dhe vështirësitë që kanë të rinjtë për të ndërtuar një jetë dinjitoze në vendin e tyre.

‘Çdo demokrat dhe njeri i arsyeshëm sot është i vetëdijshëm për gropën e madhe demografike dhe dramën familjare të shpopullimit, për rrënimin e ekonomive familjare, për vështirësitë e të rinjve për të ndërtuar një jetë dinjitoze në shtëpinë e tyre.’

Ai akuzon qeverinë për krizën e përfaqësimit dhe për problemet ekonomike e sociale, duke e cilësuar atë si ‘kartel ndërkombëtar i influencave të paligjshme politike’.

‘Në të njëjtën kohë është në sytë e të gjithëve ne emëruesi i përbashkët dhe rrënja e problemeve ekonomike, sociale dhe krizës së përfaqësimit. Problemi është qeveria e Ramës, e cila legjitimohet nga një kartel ndërkombëtar i influencave të paligjshme politike, me axhenda që nuk përputhen më aspiratat, dëshirat dhe nevojat e shqiptarëve të thjeshtë. Karteli Soros dhe Narkoshteti i Ramës, do të rrëzohen me çdo kusht!’

Sipas tij, rruga për ndryshim kalon përmes rikthimit tek qytetarët dhe tek vlerat njerëzore.

‘Ka një rrugë për të dalë nga kjo fatkeqësi. Është rikthimi tek njerëzit e thjeshtë, tek vlerat njerëzore të pandryshueshme dhe shpirti i madh i një populli kaq të nëpërkëmbur.’

Ai thekson se me mbështetjen e qytetarëve mund të përballen çdo sfidë politike dhe sociale.

‘Me besimin dhe mbështetjen e tyre mund të përballemi në çdo front me keqqeverisjen dhe autokracinë, nga liritë individuale të shtypura tek lufta ndaj korrupsionit të pandalshëm dhe mbajtjes së pamëshirshme në varfëri të shtresave të gjera të shoqërisë, me qëllim mpakjen e vendit tonë.’

Në përfundim, Këlliçi shprehet optimist se fatkeqësitë politike mund të mposhten përmes qëndresës dhe mbështetjes nga qytetarët.

‘Me këtë fatkeqësi politike mund të përballemi dhe ta mposhtim, me dëshirën e mirë, qëndresën dhe mbështetjen nga çdo shqiptar i ndershëm e vullnetmirë. Faleminderit!’