SYRI TV/ IKMT nis shembjet në Valbonë-Banorët me lot në sy: Shteti na lejoi, e ndërtuam për një copë bukë!
Fadromat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, kanë nisur shembjen e ndërtimeve pa leje edhe në zonën turistike të Valbonës. Banorët ndonëse nuk kanë bërë rezistencë fizike, me lot në sy kanë treguar se ndërtuan pa leje gjatë fushatës elektorale pikërisht me bekim të strukturave lokale të bashkisë Tropojë. Ata nuk kursyen as akuzat ndaj qeverisë dhe IKMT, se shembjet po kryhen në mënyrë selektive. Aksioni në Valbonë vjen vetëm dy muaj pas atij në Theth.
Syri TV
Pas Thethit në verë, fadromat e IKMT kanë zbarkuar këtë mes shtatori edhe në zonën turistike të Valbonës, për të shembur shtëpiza druri dhe objekte, që pretendohet se janë ndërtuar pa leje.
Në total janë rreth 22 objekte që do të shemben, ku shumë prej tyre janë pikërisht shtëpiza druri, të ndërtuara nga banorët për qëllime hotelerie.
Banorët me lot në sy, kanë kundërshtuar aksionin e IKMT për shembjen e objekteve, duke u shprehur se ato janë ndërtuar gjatë fushatës elektorale të 11 majit, pikërisht me lejen e strukturave shtetërore.
Dy të moshuar, pronarë të disa shtëpizave prej druri, u shprehën se shembjet po bëhen selektive, ndërsa nuk kanë kursyer akuzat ndaj qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama për këtë aksion.
Një pjesë e shtëpizave të drurit në Valbonë janë çmontuar nga vetë pronarët e tyre, ndërsa IKMT ka ndërhyrë për të shembur objekte të ndërtuara me beton e tulla. Aksioni i shembjeve në Valbonë, dy muaj pas atij në Theth, tregon edhe njëherë se veriu i vendit mbetet shënjestër e aksioneve për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonat turistike, ndryshe nga sa u pretendua se operacioni do të shtrihej edhe në zonat e tjera të vendit.