Vriten 12 ushtarë pakistanezë nga militantët islamistë në Waziristanin Jugor
Dymbëdhjetë ushtarë pakistanezë u vranë të shtunën në një pritë të organizuar nga militantë islamistë ndaj një autokolone ushtarake në veriperëndim të Pakistanit.
Incidenti ndodhi në zonën malore të Badar-it, në rajonin e Waziristanit Jugor, pranë kufirit me Afganistanin. Sipas deklaratës së ushtrisë pakistaneze, pas një shkëmbimi të ashpër zjarri u vranë 12 ushtarë dhe 13 militantë, ndërsa të paktën katër persona mbetën të plagosur, raporton Reuters..
Grupi Tehrik-i-Taliban Pakistan (TTP), i njohur si talebanët pakistanezë, mori përgjegjësinë për sulmin, duke pretenduar se kishte kapur armë dhe dronë nga trupat qeveritare. Banorët e zonës thanë për Reuters se helikopterë ushtarakë fluturonin mbi vendin e ngjarjes për disa orë pas sulmit, duke transportuar të plagosurit në spital dhe duke kërkuar autorët.
Zyrtarët e sigurisë thanë se autokolonat në këtë zonë zakonisht lëvizin pas pastrimit të itinerarit dhe vendosjes së ndalimeve të përkohshme të qarkullimit, për shkak të rrezikut të lartë nga militantët.
Islamabadi ka akuzuar prej kohësh administratën talebane në Kabul për strehimin e TTP-së, me mbështetje të supozuar nga India, një pretendim që si Kabuli, ashtu edhe Nju Delhi e mohojnë. TTP-ja frymëzohet nga talebanët afganë, duke e bërë rajonin një vatër të vazhdueshme tensioni dhe dhune.