SYRI TV/ Skandali në Patos, ura u ndërtua, rruga jo, banorët: Do presim zgjedhjet e radhës

Ndërtimi i urave por jo i rrugëve që i përshkojnë ato, duket se janë kthyer në modë në vendin tonë. Skandali i radhës vjen nga Fieri, atje ku përpara zgjedhjeve, pushteti nxitoi të ndërtonte një urë që lidh disa fshatra të bashkive Patos dhe Roskovec, por jo rrugën që e përshkon atë. Banorë të zonës shprehen se për ndërtimin e rrugës, duhet të presin zgjedhjet e ardhshme, me shpresën se do të investohet.

Përpara zgjedhjeve të 11 majit, banorë të disa fshatrave të bashkive Patos dhe Rroskovec, iu gëzuan rindërtimin e një ure që rrezikonte shembjen, por vetëm kaq, pasi rruga e cila përshkon këtë urë, sërish mbeti në gjendje të mjerueshme. Rruga që lidh Frashërin, Belinën, Marinzën, Jagodinën dhe më tej me Fierin, është në një gjendje të degraduar, ndërsa drejtuesit e automjeteve shprehin vështirësitë që hasin për të kaluar në këtë aks.

Banorët tregojnë se në zgjedhjet e fundit, autoritetet rindërtuan urën që ishte gati të shembej, por rruga mbeti po aty, e shkatërruar.

Ky segment rrugor ka një rëndësi jetike, mbi të gjitha për fermerët, të cilët e përdorin për të çuar prodhimet e tyre bujqësore në tregjet e qytetit.

Banorët thonë se dëmtimet më të mëdha i kanë shkaktuar automjetet e tonazhit të rëndë, ndërkohë që shpesh herë, rruga e amortizuar është kthyer në burim aksidentesh.