Ministria digjitale e Ramës pritet të shndërrohet në një kontrollues masiv për qytetarët
I duhej një deklaratë që të bëhej lajm në mediat ndërkombëtare, pasi kishte kohë se nga Shqipëria vinin vetëm lajme të këqija.
Edi Rama gjatë prezantimit të qeverisë së tij, na bëri të ditur se chatboxin e e-Albania ‘Diella’, do ta kthente në një ministri digjitale, të cilës do ti jepte kompetenca ekzekutive me qëllim që të merrej me prokurorimet publike.
Por sa do shkëlqyes mund të duket sipërfaqja e dukshme, në fakt ndryshku ndodhet brenda deklaratës së Ramës. Sado moderne duket një ministre digjitale, ajo shumë thjeshtë mund të kthehet në një ‘Big brother’ masiv në mbikëqyrjen e qytetarëve, në diskriminues të shtresave apo grupeve të caktuara qytetareve, në keqpërdorimin e pushtetit dhe nga premtimi për modernizim, rrezikojmë që të përfundojmë në një shtet Orwellian.
Pra, Edi Rama na premton një revolucion digjital, një ministri që do të drejtohet nga inteligjenca artificiale (AI), pa radhë, pa burokraci dhe me shërbime pa asnjë minutë pushimi. Por pas këtij marketingu, shkëlqen një rrezik i madh: shteti bëhet më i fortë dhe qytetari më i dobët. Në vend të modernizimit, mund të përfundojmë në një realitet, ku një algoritëm vendos për fatin tonë dhe askush nuk mban përgjegjësi.
Në demokraci (jo në rastin e Shqipërisë), ministri duhet të japë dorëheqjen kur dështon, drejtori të shkarkohet kur kapet në abuzime dhe qytetari ka të drejtë të ankohet. Por në një ministri të drejtuar nga sisteme digjitale, përgjegjësia zhduket.
‘Kështu e ka vendosur sistemi’ do të jetë përgjigjja e re e Edi Ramës dhe propagandës së tij. Ky është një hap i rrezikshëm drejt zhdukjes së llogaridhënies politike dhe publike. Pra, Edi Rama do të shfajësohet shumë kollaj, duke ia ngarkuar përgjegjësitë ‘Diellës’.
Dështimi tjetër është fakti se Inteligjenca Artificiale mëson dhe merr vendime nga të dhëna që shpesh janë të njëanshme. Vendimet e saj mund të favorizojnë grupe të caktuara dhe të dëmtojnë të tjerë, duke krijuar pabarazi të institucionalizuara. Dhe kur ky diskriminim është ‘vendim teknik’, kush do ta korrigjojë?
Një algoritëm nuk ka ndërgjegje, nuk kupton tragjedi personale dhe nuk mund të justifikohet.
Kjo ministri nuk do të ketë asnjë kufizim. Pra do të ketë akses në çdo të dhënë: tatime, shëndetësi, lëvizje, paga. Kjo nuk është thjesht digjitalizim, por është ndërtimi i një super databaze kombëtare, një mjet i fuqishëm në duart e çdo qeverie që kërkon të mbikëqyrë qytetarët.
Në qeverinë e Edi Ramës kemi mësuar se, abuzimi është baza e çdo veprimi të saj dhe nga premtimi për modernizim, rrezikojmë të përfundojmë në një shtet plot me abuzime dhe askush të mbajë përgjegjësi.
Një ministri digjitale mund të bëhet shumë lehtë në objekt i sulmeve kibernetike. Shqipëria më herët është paralizuar nga këto sulme dhe databaza të tëra të saj qarkullojnë në ‘dark web’. A beson kush se ky super-sistem do të jetë i paprekshëm? Një sulm i vetëm mund të paralizojë administratën, mund të shkatërrojë çdo gjë të ngritur dhe të shkatërrojë besimin e qytetarëve.
Transparenca në qeverinë e Edi Ramës ka qenë diçka që ka munguar gjithmonë. Kush na siguron se nuk do të shohim përsëri tendera klientelistë dhe koncesione misterioze? Ky projekt ka më shumë shanse që të kthehet në një tjetër skemë korrupsioni me paratë e taksapaguesve, se sa në një skemë transparente dhe qytetarët të marrin informacionin në çdo kohë.
Përfundimisht një ministri digjitale e bazuar në Inteligjencën Artificiale mund të jetë e dobishme, por vetëm nëse ka një kontroll parlamentar rigoroz, mbikëqyrje të pavarur dhe transparencë absolute.
Por historia me Edi Ramën na ka treguar se, asnjëra nga këto nuk do të jetë e mundur, sepse Edi Rama kërkon që vetëm ai të ketë dijeni për çdo gjë që do të ndodhë me ‘Diellën’ dhe më pas të justifikohet se, i gjithë faji është i teknologjisë, sepse vetë ai nuk ka dhënë asnjëherë llogari as publikisht dhe as privatisht.
Pra Ministria Digjitale e Ramës mund të kthehet në një makth që do ta paguajmë jo vetëm me taksat tona, por edhe me liritë tona.
Në fund ngelet të themi se, modernizmi i shpejtë dhe pa transparencë nuk është progres, por është rruga më e shpejtë drejt abuzimit me pushtetin, dhe shanset që mund të ndodhë në Shqipëri janë 100 për qind të mundshme.