SYRI TV/ Vendimi i SHBA, reagon Kosova: Gatishmëri për të korrigjuar veprimet tona

Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të përmirësuar e korrigjuar veprimet e saj pas ndërprerjes së dialogut strategjik nga Shtetet e Bashkuara, duke theksuar edhe përkushtimin ndaj raporteve me aleatin jetik të vendit. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka shprehur keqardhje dhe shqetësim të thellë ndaj vendimit, ndërsa liderët opozitarë fajësojnë Kryeministrin Albin Kurti për një nga dëmet më të mëdha ndaj Kosovës dhe kërkojnë veprim të menjëhershëm nga perëndimi.

Syri TV

Qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për të pezulluar dialogun strategjik, duke shprehur bindjen se Republika e Kosovës është partneri më serioz i Uashingtonit për stabilitet, siguri dhe paqe në rajon. Në një njoftim nga Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, shprehet mirënjohja e thellë për angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës ndërsa tregohet gatishmëria për të korrigjuar veprimet e tyre.

Sa i përket kritikave publike të kryeministrit ndaj Gjykatës Kushtetuese, është qëndrimi i tij i hapur se me vendimet e saj, Gjykata Kushtetuese e ka cënuar karakterin demokratik të Republikës së pavarur, dhe se me joefikasitetin e saj në trajtimin e lëndëve është bërë bashkëpjesëmarrëse në agjendën e partive politike opozitare për të vonuar reformat themelore të paraparë në programin qeverisës. Ne i jemi gjithmonë mirënjohjes për kontributin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara për vendin tonë dhe i falënderojmë për mbështetjen dhe ndihmën ndaj shtetit të Kosovës dhe popullit tonë në aq shumë fusha. I mirëpresim edhe kritikat. Kurdo që janë konkrete përpiqemi maksimalisht të përmirësojmë dhe korrigjojmë hapat e veprimet tona.

Një reagim ka ardhur edhe nga zyra e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, që shpreh shqetësimin e thellë dhe keqardhje ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara.

Çështja e aleancës me SHBA-të, është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë. Siguria e Republikës së Kosovës është fuqishëm e lidhur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj secili duhet ta marrë me seriozitetin dhe përgjegjësinë maksimale ruajtjen e kësaj aleance të shenjtë. Dialogu Strategjik i arritur në janar 2025 është një mekanizëm tejet i çmuar i këtij bashkëpunimi. Në këtë frymë, Presidenca e Republikës së Kosovës do të angazhohet maksimalisht e me përkushtim të lartë që ky dialog të rifillojë sa më shpejt.”

Menjëherë pas pezullimit të dialogut strategjik, krerët e partive kryesore opozitare në Kosovë kanë zhvilluar takime në Ambasadën amerikane në Prishtinë. Partia Demokratike e Kosovës me në krye Memli Krasniqin, ka deklaruar se vendimi vjen si pasojë e papërgjegjshmërisë së qeverisë Kurti dhe i ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë që të veprojnë.

 “Ky është dëmi më i madh politik, diplomatik dhe strategjik që i është shkaktuar Republikës së Kosovës në 25 vitet e lirisë së saj. Pas sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe tani vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik, është bërë e qartë se vendi po rrëshqet në një drejtim të rrezikshëm për shkak të një qeverie të papërgjegjshme. Kjo është koha e fundit që të gjitha forcat politike properëndimore, me vetëdije shtetformuese, të bashkohen dhe t’i japin Kosovës një qeveri të përgjegjshme, e cila e rikthen vendin në rrugëtimin e sigurt të integrimit euroatlantik.”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku e ka cilësuar këtë si momentin më të rëndë në marrëdhënieve mes dy vendeve.

Shkatërruesit e shtetit, bllokuesit historik, shkelësit e Kushtetutës, ligjeve e normave morale njerëzore, kanë zgjedhur të ndërtojnë rrugëtimin e tyre mbi krizën e përhershme, mbi frikën e pashtershme dhe mbi fatkeqësinë e Republikës. LDK do të kujdestarojë me plot përkushtim e përgjegjësi rrugën euroatlantike të Kosovës; do të garantojë miqësinë e përhershme me SHBA-në dhe do të rikthejë vendin tonë në binarët e arsyes, ligjit dhe demokracisë.”

Edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj e ka trajtuar vendimin si një pikë të errët në historinë e Kosovës, dhe akuzoi kryeministrin Kurti për sjellje të papërgjegjshme dhe destruktive.