AUDIO/ Hapësirat publike dhe abuzimet me taksat, përgjimet që zbulojnë rrjetin e inspektorëve
Në mes të një vere me temperatura ekstreme, kur termometri i kaloi 40 gradë, kryeministri ndërmori një aksion të paprecedentë për lirimin e hapësirave publike në qytetet kryesore të vendit. Dhe, siç ishte e pritshme, vëmendja kryesore për zbatimin e këtij urdhri kryeministror u përqendrua në Tiranë, aty ku prej vitesh shkelja e ligjit bëhej në bashkëpunim mes zaptuesve abuzivë të hapësirave publike dhe Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore, e cila për 9 vite u drejtua nga Arli Naska.
Pikërisht për këtë arsye, z. Naska, në bashkëpunim me inspektorët e tij, kishin krijuar një skemë abuzive që gjeneronte çdo muaj miliona lekë.
Në një audio-regjistrim të mbërritur në redaksinë e “Piranjave”, tregohet fare qartë skema abuzive që kanë përdorur inspektorët e bashkisë për përfitime vetjake në kurriz të taksave të qytetarëve.
Personi i regjistruar në këtë audio, teksa i rrëfen skemën abuzive një zonje të panjohur, është Gerd Mihali, shef sektori pranë DPTTV për zonën 1.
Ai zbërthen me detaje një skemë të frikshme të një abuzimi të dyfishtë: së pari me shfrytëzimin e hapësirës publike si pronë private, dhe së dyti me taksimin minimal të subjekteve, në këmbim të zarfeve nën dorë që ky grup kriminal merrte si shpërblim për favorizimet.
Ai thotë se të qenit inspektor zone të jep shumë avantazhe kur ngrihesh në detyrë, sepse duke njohur një zonë të caktuar – nuk ka rëndësi nëse është Laprakë, Astir apo Tirana e Re – modaliteti i punës është i njëjtë.
"Thjesht ndryshojnë fytyrat, por nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Bizneset po ato janë," – thotë ai.
Në të vërtetë, me qetësinë dhe sigurinë me të cilën flet, e gjitha çfarë dëgjohet ngjan me një bisedë pune, ku sqarohen detyrat dhe objektivat.
Këtu kuptohet qartë se nuk bëhet fjalë për të vjelë taksa për bashkinë, por për të mbushur arkën paralele të këtij grupi kriminal.
Mënyra se si ai e rrëfen e kthen gjithçka në normalitet, aq sa thuajse legjitimon vjedhjen që kanë kryer.
Gjithashtu, ai shprehet se në këtë sektor dhe në këto përfitime ka menduar edhe për gjendjen emocionale të punonjësve të tjerë, duke mos ua kërkuar të gjitha fitimet nga terreni.
“Unë jua kam thënë në mbledhje... O k***, unë nuk po ju kërkoj 50-shen, se e di që ju duhet për naftë, do hani bukë, do pini kafe... do q*** edhe p***...”