Vrau aktivistin Kirk/ Zbulohet jeta akademike e Tyler Robinson: Nga bursa presidenciale te braktisja e studimeve...

Emri i Tyler Robinson po qarkullonte në internet përpara njoftimit zyrtar të sotëm dhe ekipi i BBC Verify po kërkonte llogari në rrjetet sociale që mund të ishin të lidhura me të.

'Gjetëm një profil në Facebook për dikë që menduam se ishte nëna e tij  kishin të njëjtin mbiemër, jetonin në të njëjtën zonë dhe kishin postuar shumë foto të dikujt që i ngjante shumë Tyler Robinson-it.

Më pas zbuluam se disa nga fotot përputheshin mbi 99.5% me imazhin e tij zyrtar (mugshot) të publikuar nga autoritetet, kur u kontrolluan përmes softuerit të njohjes së fytyrës', raporton BBC.

Një nga fotot në atë llogari në Facebook e tregon atë duke mbajtur në dorë një certifikatë nga Pine View Middle School në qytetin St. George, në jug të Utah. Një tjetër foto ishte bërë në Utah State University, në Logan, në veri të shtetit. Më vonë, autoritetet konfirmuan se ai kishte ndjekur studimet në të dyja institucionet.

Në një foto kolazh të Tyler Robinson-it: në të majtë ai mban një certifikatë shkolle me një mesatare 4.0 GPA; në të djathtën lart, ai shihet duke kaluar skenën.

Në një tjetër foto të bërë në universitet, Tyler Robinson shfaqet duke mbajtur një dokument përpara një tabele jashtë një prej godinave të inxhinierisë në vitin 2021 – duke sugjeruar se mund të ketë studiuar në atë departament.

Në një video tjetër të postuar në atë profil, ai shihet duke lexuar një letër ku thuhet:
"Urime, ju jeni përzgjedhur për të marrë bursën presidenciale për banorët nga Utah State University. Vlera e kësaj burse është afërsisht 32,000 dollarë. Bursa është e vlefshme për katër vite ose tetë semestre."

Universiteti ka konfirmuar se ai ka ndjekur studimet atje për një semestër në vitin 2021, por nuk pranoi të japë informacion se çfarë ka studiuar ose pse i ka ndërprerë studimet, kur u pyet nga BBC Verify.