VIDEO-Reforma e re territoriale/ Lela: Edi Rama kërkon të bëjë një parlament një ngjyrësh
Drejtori i Komunikimit dhe Medias në PD, Alfred Lela, në një intervistë për ‘Edicionin e Pasdites’ në SYRI TV, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të krijojë një parlament ‘njëngjyrësh’, duke manipuluar proceset politike dhe institucionale në vend.
‘Çdo lëvizje e Ramës çon në përshtypjen se ai e ka seriozisht dhe, po t’i lihet në dorë çdo levë, do ta çojë Shqipërinë aty ku thotë se do ta çojë: tek një parlament i zvogëluar,’ tha Lela. Ai përmendi reformën territoriale si një mjet që kryeministri mund të përdorë për të ndikuar balancat politike:
‘Sepse reforma është një mënyrë për të bërë me zonat çfarë të duash. Pra ato zona që nxjerrin deputetë demokratë lirshëm, edhe ato mund t’i skartisësh dhe t’i pakësosh edhe ata deputetë demokratë dhe të kesh një dhomë parlamentare monokolore, njëngjyrshme.’
Lela u ndal edhe te qeveria aktuale, duke e cilësuar atë si të konsumuar dhe të paaftë për reforma të vërteta.
‘Qeveria? Asgjë e re nga një vjetërsirë 12-vjeçare e cila mbahet me shiringat e PR-it apo lëvizjeve propagandistike që nuk kanë thelb,’ u shpreh ai.
Ai ironizoi edhe prezantimin e ministres virtuale kundër korrupsionit:
‘Ka një ministre virtuale që quhet ‘Diella’ dhe medemek do luftojë korrupsionin. Një qeveri që ka 12 vite që është në shtrat, ka korrupsionin në gji dhe është vetë në gji të korrupsionit. Edi Rama mendon se do ta zgjidhë korrupsionin me robot.’