OKB: Koreja e Veriut rrit përdorimin e dënimit me vdekje dhe punën e detyruar

Koreja e Veriut po përshkallëzon përdorimin e dënimit me vdekje për veprime të tilla si shikimi ose shpërndarja e filmave të huaj, ndërsa puna e detyruar në sektorë të rrezikshëm, përfshirë minierat e qymyrit, po bëhet gjithnjë e më e zakonshme. Kështu paralajmëron një raport i ri i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, i bazuar në intervistat me mbi 300 të arratisur gjatë dekadës së fundit.

Raporti thekson se jetimët dhe familjet e varfra shpesh detyrohen të punojnë në kushte çnjerëzore, ndërsa popullsia në tërësi “i nënshtrohet propagandës së pandërprerë shtetërore” dhe mbetet më e izoluar se kurrë.

Sipas dëshmive të mbledhura, nga viti 2020 janë rritur ekzekutimet publike nga skuadrat e pushkatimit, veçanërisht ndaj atyre që shpallen fajtorë për shpërndarje të përmbajtjeve mediatike të huaja. Këto dënime kanë për qëllim të mbjellin frikë dhe të ndalin çdo shenjë pakënaqësie.

Shefi i të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Volker Türk, e cilësoi periudhën e fundit si “një dekadë të humbur” për vendin e drejtuar nga Kim Jong-un, duke paralajmëruar se nëse regjimi vijon këtë rrugë, populli koreanoverior do të përballet me më shumë uri, shtypje brutale dhe frikë.

“Qindra intervista tregojnë një dëshirë të qartë dhe të fortë për ndryshim, sidomos te të rinjtë,” tha Türk, duke theksuar se popullsia mbetet viktimë e një sistemi represiv që synon të mbyllë “sytë dhe veshët e njerëzve”.