Luan Baçi: 'Diella' është Rama versioni femër! Do të vijojë vjedhjet me inteligjencë artificiale
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi në një intervistë për Syri Tv thotë se Rama ka marrë të gjitha kompetencat e ministrave ndërsa fshihet dhe pas ministres së Inteligjencës Artificiale.
“Është situatë e vështirë për opozitën dhe e degraduar e maxhorancës. Një maxhorancë e jo vetëm e korruptuar por dhe arrogancë me tepri me mandatet që ka vjedhur më 11 maj. Seancën e parë e nisën duke mos i dhënë fjalën opozitës. Një arrogancë me një kryeministër që i ka uzurpuar të gjitha pushtetet. Do të ketë përkeqësim të situatës me një kryeministër që bën cfarë të dojë, derisa arriti të krijojë një ministër me Inteligjencë artificiale, Rama në versionin femër. Ministrat janë veç emra. Edhe Diella është Rama.
Baçi thekson se Rama po shfrytëzon ‘Diellën’ për të vijuar vjedhjet galopante e tani askush nuk do të mbajë përgjegjësi.
“Duke parë vjedhjen galopante, Rama do të ndryshojë si do të vjedhë dhe shmangë përgjegjësinë. Tashmë të gjithë tenderat do të bëhen nga IA, Diella. E tani nuk do të ketë një ministër apo drejtor që do të mbajë përgjegjësinë. Nëse do të kemi një shkelje të ligjeve të tenderimeve do të shpallin përgjegjëse Diellën. Nuk do të ketë kush të mbajë përgjegjësi nëse do të ketë vjedhje e abuzime.
Deputeti i PD-së thotë se tashmë në Shqipëri nuk ka asnjë institucion të pavarur pasi Rama përmes shantazhimit, joshjes apo forma të tjera i drejton siç i intereson vetë.
“Nuk mund të presësh asgjë nga zoti Begaj. Zotit Begaj i vijnë të shkruara nga kryeministria. Madje Rama mirë do të ishte që të dekretojë dhe në vend të presidentit. Asgjë nuk presim. Rama lëviz vetë të gjitha fijet dhe nuk ka asnjë problem nga institucionet e shtetit. Në Shqipëri nuk ka institucione të pavarura. Rama gjen mënyrën për ti shantazhuar, joshur me të gjitha mënyrat e format që të bëhet ajo cfarë ai do dhe i leverdis atij në funksion të pushtetit të vet personal”