Arrestohet në Kosovë një i dyshuar për krime lufte ndaj civilëve

Autoritetet në Kosovë kanë arrestuar një person të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile, të kryera gjatë periudhës së luftës së viteve 1998-1999.

Sipas një njoftimi zyrtar, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se i arrestuari është identifikuar me inicialet R.D., por pa dhënë detaje të mëtejshme mbi rastin apo rolin e tij të mundshëm gjatë luftës.

"R.D. është ndaluar nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile", thuhet në njoftim, duke shtuar se po ndërmerren të gjitha veprimet hetimore të nevojshme në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Kujtojmë se Prokuroria Speciale ka intensifikuar përpjekjet e saj së fundmi për të adresuar krimet e luftës, përfshirë ngritjen e një aktakuze në mungesë për 21 persona të dyshuar për dëbimin e më shumë se 800 mijë shqiptarëve gjatë luftës.

Deri më sot, dhjetëra persona janë gjykuar dhe dënuar për krime lufte në Kosovë, si nga gjykatat vendore, ashtu edhe nga ato ndërkombëtare. Rreth 1.600 persona mbeten ende të zhdukur, shumica shqiptarë.