SYRI TV/ Seanca e parë e legjislaturës XI në Kuvend, debate për Komisionin e Përkohshëm të Mandateve! PS votoi 6 emrat, PD bojkotoi
Seanca e parë plenare e legjislaturës së XI zgjati vetëm 24 minuta, teksa u shoqërua me debate dhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvend.
Opozita hodhi akuza se në Parlamentin e ri ka përfaqësues të krimit dhe të bandave. Me pankarta, deputetët e PD-së denoncuan lidhjet e ministrave të rinj me krimin dhe korrupsionin, si dhe aferën "Rama-McGonigal".
Lideri i opozitës, Sali Berisha, akuzoi PS-në se po asgjëson rregulloren e Kuvendit duke miratuar komisione që nuk ekzistojnë. Me urdhër të Taulant Ballës, Berishës iu ndërpre fjala, çka solli rrethimin e foltores nga ligjvënësit demokratë.
Seanca e parë e Parlamentit – Kriza që në nisje
U konstitua këtë të hënë parlamenti i ri, dalë nga zgjedhjet e 11 majit.
Seanca e parë e legjislaturës së XI-të u shoqërua me debate dhe tensione, mes akuzave të opozitës për farsë elektorale dhe një parlament të kapur nga krimi.
Deputetët e PD-së protestuan simbolikisht edhe me pankarta që denoncojnë lidhjet e ministrave të rinj me krimin dhe korrupsionin, si dhe aferën “Rama-McGonigal”.
Seanca plenare u drejtua nga deputeti socialist Vasil Llajo, i cili lexoi emrat e 140 deputetëve të Kuvendit.
Procedura e hapjes së seancës u shoqërua me përplasje, ku lideri i opozitës, Sali Berisha, shënjestroi mazhorancën për mungesën e transparencës dhe faktin se nuk janë lexuar emrat e "bandave" që sipas tij janë të pranishme në Parlament.
Me urdhër të kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, drejtuesi i seancës i ndërpreu fjalën Berishës, çka solli rrethimin e foltores nga deputetët demokratë.
Debate pati edhe për Komisionin e Verifikimit të Mandateve, ku Balla propozoi 6 emra të rinj, ndërsa PD-ja vendosi të mos ketë përfaqësues, ashtu si edhe në Sekretarinë e Përkohshme të Kuvendit.
Socialistët votuan në bllok propozimin e Ballës, ndërsa mes debateve dhe tensioneve, seanca u mbyll pas 24 minutash.
Në përfundim të seancës, lideri i opozitës, Sali Berisha, në një prononcim për gazetarët jashtë Kuvendit, deklaroi se rregullorja e Parlamentit është asgjësuar, dhe se kryesuesi i seancës, Vasil Llajo, është një mjek pa eksperiencë parlamentare që po mashtrohet për të zbatuar urdhra që cenojnë rregulloren.
Berisha theksoi se shpallja e disa komisioneve që nuk ekzistojnë në rregullore tregon qartë se Parlamenti nuk po funksionon sipas ligjit.
Sipas Berishës, në Parlament janë të pranishëm kartelet e drogës, duke e kthyer atë në një narko-parlament.
Kuvendi mblidhet sërish në orën 17:00 për të bërë betimin e deputetëve.