SHBA pezullon dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të pezullojnë për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve të thella lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti.
Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, përmes një njoftimi në Facebook, ku shprehet qartësisht zhgënjimi i Uashingtonit për situatën aktuale.
“Veprimet e Qeverisë në detyrë kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e SHBA-ve për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.”
Ky vendim shihet si një sinjal i fortë diplomatik, që përfaqëson mospajtimin në rritje të SHBA-ve me qasjen e Qeverisë Kurti ndaj çështjeve të brendshme dhe dialogut me Serbinë.
Dialogu strategjik Kosovë–SHBA përfshin bashkëpunim në fusha kyçe si siguria, drejtësia, energjia, investimet dhe sundimi i ligjit. Pezullimi i tij përbën një ndër vendimet më të ashpra të Uashingtonit ndaj Prishtinës në vitet e fundit.