Qyteti nën pushtetin e krimit/ Reagon myftiu Sytari: Shkodra po ndryshon, po përhapet e keqja
Pas ngjarjeve të fundit që kanë tronditur opinionin publik në Shkodër, ka ardhur edhe një reagim i fortë dhe i drejtpërdrejtë nga myftiu i qytetit, imam Muhamed Sytari.
Në një mesazh për besimtarët dhe qytetarët shkodranë, imam Sytari shprehet me shqetësim se Shkodra po ndryshon, duke humbur vlerat dhe traditat e saj shekullore të besës, mikpritjes dhe sigurisë.
“Jetojmë në një qytet të begatuar me pasuri. Deri vonë, njerëzit jetonin me besën e tyre. Edhe hasmin e kanë strehu. Por, kohët e fundit, po ndryshon Shkodra”, – shkruan Sytari.
Ai dënon çdo akt dhune dhe shkatërrimi, duke theksuar se çdo kush që prish rregullin e Zotit, do të paguajë faturën e veprimit të tij.
“Pse me përhap të keqen në tokë? Pse me pasë frikë njeriu me shku në punë, në shkollë? Të përpiqemi për të përhapur të mirën, të aktivizojmë shpirtin e besimit. Ta kemi frikë Zotin!”, – përfundon ai.
Reagimi i Plotë:
Imam Sytari: Jetojmë në një qytet të begatuar me pasuri. Njerëzit deri vonë jetonin me besën e tyre. Edhe hasmin e kanë strehuar. Por, kohët e fundit po ndryshon Shkodra. Ky është qytet i vlerave. Është gjynah që njerëzit ta prishin. Zoti na ka krijuar në formën më të mirë, për të respektuar njëri-tjetrin.
Pse të përhapim të keqen në tokë? Pse të ketë frikë njeriu të shkojë në punë? Pse të ketë frikë të shkojë në shkollë?
Kush e prish rregullin e Zotit, do të paguajë faturën e atij veprimi.
Të përpiqemi për të përhapur të mirën. Dënojmë çdo akt dhune, vrasje dhe shkatërrim të pronës. Kemi nevojë të aktivizojmë shpirtin e besimit. Mos ta harrojmë historinë tonë. Njerëzit tanë nuk prisnin në besë. Kujdes, ta kemi frikë Zotin.