Donald Trump po e shpëton Europën nga vetvetja
Nga Nile Gardiner/
Kritikët e Donald Trump-it këmbëngulin se ai po e shkatërron aleancën transatlantike. Përkundrazi: ai po e forcon atë.
Presidenti Trump është shumë më i interesuar për të ardhmen e Europës nga ç'është interesuar ndonjëherë Joe Biden-i dhe qasja e tij euroskeptike ndaj BE-së po thellon lidhjet e Amerikës me shtetet europiane në kurriz të Brukselit.
Trump ka një mospëlqim të fortë ndaj Bashkimit Europian, por në të vërtetë është presidenti më transatlantik që nga Ronald Reagan-i, me një shqetësim të thellë për të ardhmen e Europës.
Megjithatë, presidenti Trump është shënjestra e sulmeve të pamëshirshme nga elitat qeverisëse në kryeqytetet e Europës Perëndimore. Ata përqeshin politikat e tij, të cilat i quajnë radikale, politika që po e bëjnë Amerikën më të sigurt, ndërkohë që dekada kufijsh të hapur dhe emigracioni masiv kanë sjellë rritje krimi dhe kaosi në Europë.
Sapo u ktheva nga një konferencë në Austri, u habita nga armiqësia e hapur ndaj presidencës së Trump-it dhe ideve të saj nga shumë pjesëmarrës. Në disa raste ajo kufizohej me urrejtje të verbër, të shoqëruar me një refuzim iluziv për të pranuar realitetin se Europa ndodhet në një rënie serioze ekonomike dhe kulturore, duke shqyer indin e kombeve të saj. Joe Biden dhe Kamala Harris, zv/presidentja e tij, u lavdëruan nga mediat dhe establishmenti politik europian pavarësisht se nuk bënë absolutisht asgjë për të forcuar sigurinë e Perëndimit. Sikur burokratët antiamerikanë të BE-së të ishin vendimtarë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar, Harrisi do të kishte fituar me diferencë të madhe.
President që vendos interesat e Amerikës në radhë të parë
Fatmirësisht, populli amerikan tregoi zgjuarsi duke zgjedhur një president që vendos interesat e Amerikës të parat. Siç u thashë mikpritësve të mi në Austri, presidenti Trump fitoi gati 90 për qind të qarqeve të Amerikës, ndërsa siguroi edhe votën popullore.
Liria dhe demokracia janë shëndoshë e mirë në Amerikë, ndërsa shumë vende europiane ndërtojnë barriera politike për të mbajtur partitë populiste të djathta jashtë pushtetit, ndërkohë që shtypin lirinë e fjalës.
Sa i përket Europës, kontrasti është i madh mes presidencës së dobët dhe të paqartë Biden/Harrisit dhe administratës shumë më të fortë dhe kategorike të Trump-it.
Biden-i dhe Harrisi u thoshin elitave të BE-së vetëm atë që dëshironin të dëgjonin. Ata e mbështetën plotësisht Projektin Europian, ushtruan pak presion mbi qeveritë europiane për shpenzimet e mbrojtjes, iu nënshtruan Brukselit, Parisit dhe Berlinit për shumë çështje politike dhe kritikuan Brexit-in. Nuk thanë asgjë për çështjet e lirisë së fjalës në Europë dhe refuzuan të përballeshin me sulmet ndaj kompanive amerikane të teknologjisë nga Britania dhe BE-ja.
Qasja e tyre e kufijve të hapur brenda vendit përputhej mirë me gatishmërinë e udhëheqësve europianë për të pranuar nivele masive emigracioni, si të ligjshëm ashtu edhe të paligjshëm. Për Ukrainën, ata u pajtuan ta lejonin luftën të zvarritej pafundësisht duke ushtruar presion minimal ekonomik mbi Rusinë që të ulej në tryezën e bisedimeve.
Në kontrast të thellë, Donald Trump dhe administrata e tij kanë ndjekur një qasje krejt tjetër. Presidenca e Trump-it ka sfiduar Brukselin, duke vënë në pikëpyetje vetë konceptin e Projektit Europian, dhe ka shkatërruar muret proteksioniste të BE-së.
Trump është presidenti i parë euroskeptik i Amerikës dhe hapur mbështet sovranitetin dhe vetëvendosjen në Europë. Si mbështetës i vendosur i Brexit-it, ai beson se dalja e Britanisë nga BE është një ndryshim loje për Europën.
Qasja e Trump-it ndaj BE-së i tmerron dhe i trondit elitat europiane, por është shumë më në harmoni me drejtimin e opinionit publik në shumë vende europiane, përfshirë Francën dhe Gjermaninë. Ka gjithashtu një sinergji të madhe me mendimin strategjik në Europën Lindore dhe Qendrore, përfshirë Poloninë dhe Hungarinë, ku ka skepticizëm të thellë për eurofederalizmin.
Në të njëjtën kohë, Trump ka dalë si kampion i NATO-s, një aleancë shtetesh që funksionon në praktikë, ndryshe nga BE-ja. Në samitin shumë të suksesshëm të NATO-s në Hagë në qershor, të gjithë anëtarët e aleancës u zotuan të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5 për qind të PBB-së, një rezultat i drejtpërdrejtë i presionit amerikan.
Joe Biden po i kalonte samitet e NATO-s si në gjumë. Trump po i përshkruan ato me energjinë dhe zjarrin e një piloti të Formula 1 me mision për të fituar.
Dhe siç pamë me samitin e muajit të kaluar në Shtëpinë e Bardhë me liderët europianë të ftuar nga Presidenti Trump, sot ekziston një njohje e gjerë në Europë se vetëm udhëheqja amerikane mund ta detyrojë Vladimir Putinin të ndalojë luftën e tij brutale në Ukrainë.
Trump e ka kërcënuar Moskën me pasoja serioze nëse ajo refuzon të negociojë me Ukrainën, dhe superfuqia botërore ka aftësinë të shkatërrojë ekonominë ruse nëse detyrohet ta bëjë. Është e vështirë të imagjinohet Kamala Harrisi që të ketë gravitetin dhe autoritetin për të mbledhur liderët europianë në Uashington ose Hagë për të forcuar unitetin e botës së lirë.
Kjo administratë amerikane nuk ngurron të ndërhyjë drejtpërdrejt në çështjet europiane duke bërë thirrje për kufij të sigurt, mbrojtjen e lirisë së fjalës dhe refuzimin e emigracionit masiv. Presidenca Trump po mbron sigurinë, sovranitetin dhe kulturën e Europës, duke e bërë mbrojtjen e civilizimit perëndimor një prioritet kryesor në skenën botërore. Duhet të jemi mirënjohës për këtë.
Shpërfillini kritikët në faqet editoriale të shkëputura nga realiteti të BE-së. Qasja e ashpër por e kujdesshme e presidentit Trump po funksionon dhe Amerika sot qëndron më e fortë dhe më krenare në Europë se një vit më parë. / The Telegraph - Syri.net