Qyteti i Miçiganit mund të ndalojë flamujt LGBTQ+ në pronat publike

Një qytet në Miçigan mund të imponojë ndalimin e shfaqjes së flamujve LGBTQ+ në prona publike, sipas një gjykatësi federal.

Gjykatësi i Distriktit, David Lawson, hodhi poshtë një padi kundër qytetit të Hamtramck-ut të hënën, dy vjet pasi këshilli bashkiak votoi të lejojë vetëm pesë flamuj, përfshirë flamurin amerikan, flamurin e Miçiganit dhe flamuj që "përfaqësojnë karakterin ndërkombëtar" të komunitetit.

"Refuzimi i Hamtramck-ut për të shfaqur flamurin e Krenarisë Gay nuk shkelte Kushtetutën," tha Lawson.

Kundërshtarët e kësaj politike thanë se Hamtramck, i njohur për mikpritjen ndaj emigrantëve, po shkelte lirinë e shprehjes duke ndaluar flamujt e Krenarisë, por Lawson tha se kjo politikë ishte kushtetuese sepse ndalon të gjithë flamujt privatë, jo vetëm disa.

Një flamur i Krenarisë u shfaq në vitet 2021 dhe 2022, para se disa anëtarë të këshillit që ishte i gjithi mysliman të argumentonin se ai binte në kundërshtim me bindjet e fesë së disa anëtarëve. Këshilli votoi në favor të politikës në qershor 2023.

Muajin pasues, dy anëtarë të Komisionit për Marrëdhënie Njerëzore të qytetit u larguan nga pozicionet e tyre për shkak se kishin valëvitur flamuj të Krenarisë në pronë të qytetit.

"Ky Këshill beson në drejtësi, neutralitet ndaj banorëve tanë dhe sundimin e ligjit, ndër të tjera për këtë komunitet. Ne miratuam së fundmi një rezolutë për ta bërë pikërisht këtë, dhe dy nga komisionerët tanë të betuar e shpërfillën plotësisht, duke bërë atë që donin," tha në një deklaratë në atë kohë anëtari i Këshillit, Khalil Refai.

Bizneset dhe banorët në Hamtramck munden të valëvitin flamuj të Krenarisë në pronat e tyre private.

Më shumë se 40% e 27,000 banorëve të qytetit kanë lindur në vende të tjera, sipas Byrosë së Regjistrimit të SHBA. Një përqindje e konsiderueshme e këtyre banorëve të lindur jashtë janë me prejardhje jemenase ose bangladeshase.

Kryetari i bashkisë së qytetit, Amer Ghalib, me origjinë nga Jemeni, u emërua nga Presidenti Donald Trump si ambasador i SHBA-së në Kuvajt.

"Ne nuk po shënjestrojmë askënd," tha Ghalib, i cili është gjithashtu mysliman, në vitin 2023. "Po përpiqemi t'u mbyllim derën grupeve të tjera që mund të jenë ekstreme ose raciste." / Fox News - Syri.net