'Përmbytjet në Durrës lënë pas dëme të mëdha', banorja: Është shkatërruar gjithçka, bashkia nuk ndërhyri. Kërkojmë zgjidhje urgjente
Banorët e Durrësit kanë përjetuar dëme të mëdha në shtëpitë e tyre pas përmbytjeve të shkaktuara nga shirat e djeshëm.
Një banore nga zona e përmbytur tregon se uji ka shkatërruar mobiljet dhe objekte të tjera, duke u krijuar probleme të mëdha për jetesën e familjes së saj.
“Çdo gjë e ka shkatërruar, aty ku hyri uji u shkatërruan mobiljet. Para 4-5 muajsh ka ndodhur një situatë e ngjashme. Dikush shpëtoi, dikush tjetër jo,” tha ajo.
Banorja shprehet se ka kërkuar ndihmë nga bashkia, e cila dërgoi zjarrfikësit, por ishte mjaft e çuditshme, pasi problemi ishte uji nga shirat dhe jo zjarri.
Sipas saj, shumë objekte janë vendosur mbi rrjetin e kanalizimeve dhe nuk janë hequr kur është bërë rikonstruksioni, duke penguar largimin e ujit.
Ajo shton se përmbytjet janë shkaktuar kryesisht nga kanalizimet e bllokuara.
“Ne përmbytemi vetëm prej këtyre kanalizimeve. Bashkia na thotë se jemi poshtë nivelit, prandaj përmbytemi. Që nga viti 1997 deri në 2005 nuk kemi pasur kurrë probleme të tilla.”
Banorja tregon se dëmet janë të mëdha, duke përfshirë muret e shtëpisë dhe mobiljet, por thekson se nuk kërkon ndihmë për rindërtim, por për zgjidhjen e problemit të rrjetit të kanalizimeve dhe pastrimin e zonës: “Ne duam ndihmë, s’dua ndihmë për të rindërtuar shtëpinë, e di sa buxhet ka bashkia, por nuk na ndihmojnë.”
Situata tregon shqetësimin e banorëve për menaxhimin e ujërave të shirave dhe mungesën e ndërhyrjes së institucioneve për të parandaluar përmbytje të tjera.