Bashkia bën sehir/ Pas përmbytjeve, banorët e Durrësit detyrohen t’i pastrojnë vetë shtëpitë nga vërshimi i ujit

Një ditë pas përmbytjeve që bënë kërdinë në qytetin bregdetar të Durrësit, banorët të neglizhuar totalisht nga pushteti vendor, janë detyruar vetë të pastrojnë shtëpitë e tyre nga papastërtitë që lanë pas reshjet e shiut.

Siç shihet nga videot e siguruara nga Syri, shumë banorë janë detyruar të bëjnë punën e Bashkisë, e cila duket indiferente ndaj fatkeqësisë së qytetarëve të saj që paguajnë taksa.

Edhe këtë të premte, uji është ende prezent në disa pjesë të lagjeve në Durrës, ndërsa banorët shprehen se është hera e dytë që përmbyten këtë vit.

Dëmet janë të shumta jo vetëm në banesa, por edhe në aspektin ekonomik, për shkak të përsëritjes së përmbytjeve në qytetin bregdetar, ndërsa si çdo herë, banorët përballen me mungesë të ndihmës institucionale.

Sikur të mos mjaftonin rrugët e përmbytura dhe balta që i ka përfshirë, në të njëjtën situatë ndodhet edhe Kisha në Durrës, ku murgeshat po punojnë për pastrimin e oborrit.