Edi Rama, një tjetër ligj që thellon radikalisht distancën me qeverisjen amerikane të Trump
Ashtu si pa u ndjerë, ashtu si pa u kuptuar nga askush, mesit të aq shumë bëmave të tjera famëkeqe dhe zhurmë-mëdha, Edi Rama ka përgatitur për votim, që në hapje të seancave të para të parlamentit, një ligj që është pak ta quash më të rrezikshmin e të gjithë ligjeve që mund të avancojë ndonjëherë agjenda e tij famëkeqe woke. Bëhet fjalë për ligjin që dënon njërën nga të vërtetat bazë, themelore të njerëzimit, të mbrojtur aq fort prej konservatorizmit kudo në botë, ligjit të ekzistencës së vetëm dy gjinive: burrë dhe grua. Është ligji që i hap rrugë diçkaje që është abc e shumë përplasjeve, shpeshherë të dhunshme radikale, në të gjitha shoqëritë ku është dekretuar dhe që ashtu siç tregon përvoja amerikane dhe evropiane, është nëna krijuese e një ndasie dhe urrejtje të paparë midis pjesëve të mëdha të shoqërisë me njëra tjetrën. Jo në kot, administrata e Trump e mbështetur fuqimisht nga lëvizja Maga dhe nga votuesit amerikanë që me një shumicë dominante, të paparë ndonjëherë prej dekadash, i dhanë fitoren pikërisht për të mbajtur premtimet, caktuan që dekreti i parë i nënshkruar nga presidenti të qe ligji i deklarimit të vetëm dy gjinive.
Një premtim i mbajtur dhe i brohoritur, që i jepte fund një gjuhe fyerjesh, manipulimi dhe urrejtjeje që kishte ndarë më dysh shumë shoqëri perëndimore në mënyrë artificiale dhe të padrejtë dhe që amerikanët e kishin provuar mbi kurrizin e tyre me të gjitha rrjedhimet e saj katastrofike. Nuk kemi të bëjmë aspak me barazinë gjinore, si thelbi që duhet të mbrojë ky ligj, pasi kjo mbrohet, promovohet dhe garantohet tashmë me mjaft ligje të tjera. Aq më tepër që Shqipëria ka bërë me të drejtë hapa gjigantë në këtë drejtim. Vetë Rama është mburrur përherë se qeverisja socialiste është qeverisja e fuqisë së grave në pushtet, dhe statistikat e grave drejtuese në shumë ministri e përligjin këtë gjë. As edhe krahu tjetër i argumentit nuk qëndron. Nuk njohim prej kohësh as valë jo e jo, por as edhe ndonjë shembull të gjallë diskriminimesh të minoriteteve ose komuniteteve të margjinalizuara që përfshin ombrella e stërmadhe e lgbtq++..., që të na përligjë urgjencën e këtij ligji mjaft të debatuar qoftë shkencërisht qoftë moralisht të diskutueshëm në mjaft shoqëri, edhe me të përparuara se e jona. Edhe në këtë pikë, shoqëria shqiptare është emancipuar gjerësisht të njohë identitetin seksual të çdo kujt ( derisa dhe Zoti i ka krijuar të gjithë njerëzit sipas imazhit të tij), por nga ana tjetër ta ndajë një gjë të tillë nga çdo lloj manipulimi që i bën ideologjia gjinore e shpikur dhe sajuar për interes të lobeve të fuqishme të lgbtq, kudo në botë, jo për të mbrojtur barazinë gjinore, as për të mbrojtur të drejtat e njeriut, por për interes të tyre dhe avancimit të agjendës së vet të wokizmit, zemrës së progresizmit dhe lëvizjes woke.
Kjo është kauza flamur e radikalëve të majtë dhe sorosianë, me të cilën ata më pas nisën të minojnë shoqërinë amerikane me ndasi, urrejtje e herezi të paimagjinueshme shoqërore, kulturore e deri ekonomike, që arritën pikën kulminante në zgjedhjet e fundit, kur shtrohej për diskutim jo thjesht një përplasje partish, por një përplasje përfundimtare midis dy botësh, dy botëkuptimesh, radikalisht të kundërta me njëra-tjetrën: konservatorizmit dhe wokizmit. Kjo është arsyeja themelore që udhëhoqi administratën Trump të shpallë të parin dekretin e ligjit të vetëm dy gjinive, si gurin e themelit të ndarjes dhe distancimit të gjithë shoqërisë amerikane nga ky rrezik i minimit të demokracisë, nga ky rrezik kombëtar siç është ideologjia e raporteve gjinore, që lëvizja wokiste e kish depërtuar kudo: në drejtësi, në arsim, edukim, media dhe punësim. Janë të gjitha këto rrjedhoja të rrezikshme të përdorimit famëkeq të teorisë së fluiditetit gjinor, që Shqipëria as nuk i ka si problem e as i duhet ti manjetizojë pa arsye, nëpërmjet këtij ligji. Ndaj, së pari, na duket qesharak prej pehlivani të fjalës, argumentimi i kryeministrit para ca ditësh, kur trumbetonte miqësinë e përjetshme me Soros, dhe se atij nuk i interesonte lufta e tij personale me Trump. Përkundrazi, urgjenca e futjes si akt i parë i parlamentit të ri, të një ligji krejtësisht të kundërt me atë që Trump nënshkroi që në ditën e parë, është një akt i qartë lufte të heshtur, por tashmë të shpallur, një qokë apo vasalitet ligjor që Shqipëria shpall ndaj kalit të betejës sorosiane kudo në botë, në kundërshtim me betejën dhe luftën që miliona njerëz në SHBA dhe në botë, po i bëjnë përditë kësaj ideologjie.
Nuk qëndron as diktimi i burokracisë evropiane si justifikim, pavarësisht se ajo është e molepsura e madhe prej kësaj ideologjie. Aq më tepër që Shqipëria mund të argumentojë lirisht se ka realitete objektive dhe specifike, kundër aprovimit të këtij ligji. Jo, Edi Ramës nuk i intereson asgjë nga këto, ai nuk e ka mik vetëm Soros, ai ka përqafuar me mish e me shpirt gjithë ideologjinë e mbrapshtë që përfaqëson sot Soros, wokizmin, duke u shndërruar në tradhtarin disa- dimensionesh më të madh të vetvetes dhe të identitetit tonë kombëtar. Ke tradhtuar atdheun dhe traditat tona që na kanë mbajtur gjallë nga çdo asimilim.