Vrasja e Charlie Kirk/ Kongresmeni amerikan: Të hetojmë urgjent Sorosin dhe financimet për të majtën radikale

Nga Elizabeth Elkind, FOX NEWS

Kongresmeni Chip Roy, republikan nga Teksasi, u bëri thirrje drejtuesve të Dhomës së Përfaqësuesve që të krijojnë një komision të ri të përkohshëm për të hetuar “sulmet e shumta ndaj mënyrës sonë të jetesës, shkatërrimin e sundimit të ligjit dhe vrasjen e amerikanëve të pafajshëm, të njohur dhe të panjohur.”

Në një letër të dërguar drejtuesve republikanë të Dhomës të enjten, një ditë pas atentatit ndaj aktivistit konservator Charlie Kirk, Roy akuzoi grupet e majta për nxitjen e mjedisit aktual të tensionuar politik.

“Unë, me respekt, kërkoj që Dhoma e Përfaqësuesve të formojë një komision të posaçëm mbi ‘paratë, ndikimin dhe pushtetin pas sulmit të së majtës radikale ndaj Amerikës dhe sundimit të ligjit,’” shkroi Roy. “Modelet janë të pamohueshme: ne jemi dëshmitarë të një shpërbërjeje të qëndrueshme të rendit dhe ligjit, e nxitur jo rastësisht nga ideologjia anti-amerikane”.

Roy solli në vëmendje përpjekjet për atentat ndaj Presidentit Donald Trump në vitin 2024, si edhe të shtënat gjatë stërvitjes së ekipit të bejsbollit të Kongresit në vitin 2017, por shtoi: “Kjo shkon shumë përtej politikanëve dhe prek vetë popullin.”

Ai përmendi gjithashtu rastet kur Këshilli për Kërkime Familjare (Family Research Council) dhe Charlie Kirk u shënjestruan nga Qendra Ligjore për Varfëri Jugore (SPLC), duke kujtuar se Kirk u vra vetëm këtë javë pasi ishte vendosur tre muaj më parë në “Hartën e Urrejtjes” famëkeqe të SPLC-së.

“Kemi parë rrjete të rrezikshme si Antifa që organizojnë, financojnë dhe zbatojnë fushata të sofistikuara terrori duke sulmuar forcat e rendit dhe duke shkatërruar qytetet amerikane.  Kemi parë George Soros-in, Kolektivin Wren dhe organizata të tjera radikale që financojnë dhe vendosin prokurorë e gjyqtarë për të koordinuar më pas lirimin e kriminelëve nëpër rrugë,” shkroi ai.

Roy gjithashtu fajësoi “entitetet dhe figurat e majta” për krizën e fundit në kufirin amerikan gjatë administratës Biden.

“Mjaft është mjaft. Duhet të ndjekim gjurmët e parave për të identifikuar autorët e sulmeve anti-amerikane të koordinuara që po kryhen kundër nesh dhe të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm ligjorë për t’i ndaluar ata,” shkroi ai.

“Nuk mund të vazhdojmë të bëjmë sikur jemi të bashkuar nga ideale të përbashkëta kur një grup i mirëfinancuar, plot mllef, i bashkëqytetarëve tanë dhe interesave të huaja është në luftë me vetë vlerat e besimit tek Zoti, besnikërisë ndaj Kushtetutës sonë dhe respektit për parimet e lirisë dhe të Qytetërimit Perëndimor që na përcaktojnë si amerikanë – përfshirë, veçanërisht, lirinë e fjalës së praktikuar dhe të mishëruar nga Charlie Kirk”.

Kirk, 31-vjeçari themelues i ‘Turning Point USA’, u qëllua për vdekje gjatë një aktiviteti në një kampus kolegji në Jutah, në një ngjarje që guvernatori Spencer Cox e ka cilësuar si atentat me motiv politik.

Kjo ngjarje ka nxitur një shpërthim dhimbjeje dhe zemërimi nga aleatët e tij në krahun e djathtë, si edhe lutje dypartiake për familjen e Kirk dhe thirrje për t’i dhënë fund dhunës politike që ka prekur të dyja palët.

Përveç ngjarjeve të përmendura nga Roy, një ligjvënëse demokrate shtetërore në Minnesota u vra në shtëpinë e saj së bashku me bashkëshortin, nga një sulmues i maskuar, i veshur si oficer policie.

Vetëm pak më herët të enjten, një kërcënim i mundshëm me bombë detyroi policinë të rrethonte selinë e Komitetit Kombëtar Demokrat (DNC) në Uashington. Megjithatë, më vonë u konstatua se kërcënimi nuk ishte i besueshëm.

Por atentati ndaj Kirk është tragjedia më e fundit në një varg incidentesh të dhunshme në rritje, që i kanë bërë zyrtarët e zgjedhur dhe figurat e tjera politike të frikësohen për sigurinë e tyre.

Disa republikanë, si Roy, kanë akuzuar demokratët për nxitjen e urrejtjes ndaj krahut të djathtë.