'E paarsyeshme': Irlanda do të bojkotojë Eurovision 2026 nëse Izraeli merr pjesë
“E paarsyeshme duke pasur parasysh humbjen e jetëve në Gaza”: Irlanda nuk do të marrë pjesë në Eurovision 2026 nëse Izraeli merr pjesë, njofton transmetuesi irlandez RTE.
Irlanda ka njoftuar se do të bojkotojë Eurovizion 2026, “nëse pjesëmarrja e Izraelit vazhdon”.
Transmetuesi irlandez RTE lëshoi një deklaratë, duke thënë se në Asamblenë e Përgjithshme të Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU), organizatorëve të Konkursit të Këngës në Eurovision, në korrik, “një numër anëtarësh të EBU-së ngritën shqetësime, në lidhje me pjesëmarrjen e Izraelit në Konkursin e Këngës në Eurovision”.
Deklarata thoshte: “Është qëndrimi i RTÉ që Irlanda nuk do të marrë pjesë në Festivalin e Këngës në Eurovision 2026, nëse pjesëmarrja e Izraelit vazhdon, dhe vendimi përfundimtar në lidhje me pjesëmarrjen e Irlandës do të merret pasi të merret vendimi i EBU-së”.
Transmetuesi shtoi: “RTÉ mendon se pjesëmarrja e Irlandës do të ishte e paarsyeshme, duke pasur parasysh humbjen e vazhdueshme dhe të tmerrshme të jetëve në Gaza. RTÉ është gjithashtu thellësisht e shqetësuar nga vrasja e synuar e gazetarëve në Gaza, mohimi i aksesit të gazetarëve ndërkombëtarë në territor dhe gjendja e vështirë e pengjeve të mbetura.”
Kjo vjen pas komenteve të bëra nga Ministri spanjoll i Kulturës, Ernest Urtasun, në lidhje me pjesëmarrjen e Spanjës në Eurovision vitin e ardhshëm.
Më herët këtë javë, Euronews Culture raportoi se Spanja gjithashtu kërcënoi të tërhiqej nga konkursi nëse Izraeli mhahet në program. "Nuk mendoj se mund ta normalizojmë pjesëmarrjen e Izraelit në ngjarje ndërkombëtare sikur të mos ndodhte asgjë", tha Urtasun gjatë një interviste në La hora de La 1 në TVE. "Nuk është një artist individual që merr pjesë, por dikush që merr pjesë në emër të qytetarëve të atij vendi."
Urtasun tha se nëse Izraeli merr pjesë në vitin 2026 “dhe ne nuk arrijmë ta përjashtojmë, do të duhet të merren masa” - siç citohet nga gazeta e përditshme spanjolle, La Vanguardia - dhe u kujtoi shikuesve se kryeministri spanjoll Pedro Sánchez më parë i bëri thirrje EBU-së që ta përjashtonte Izraelin nga gara ndërkombëtare.
Në maj, Sanchez i bëri thirrje EBU-së të përjashtonte Izraelin, duke thënë se "askush nuk po tundte kokën" kur Rusia u ndalua nga garat ndërkombëtare dhe Eurovision pas pushtimit të Ukrainës. Ai bëri thirrje që e njëjta ndalim të zbatohej edhe për Izraelin për shkak të luftës në Gaza.
Urtasun përcaktoi se nuk është antisemite, të denoncosh "gjenocidin" që po ndodh në Gaza, dhe e përshkroi Izraelin si një "qeveri gjenocidale".
Këto deklarata nga Irlanda dhe Spanja, si dhe protestat publike në rritje, tregojnë mjaft mirë se deri në çfarë mase Eurovision po përballet me një krizë të madhe.
Konkursi është përfshirë nga tensione politike për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit për dy vjet tani, dhe drejtori i transmetuesit kombëtar të Sllovenisë, RTVSLO, ka njoftuar tashmë se ka të ngjarë të tërhiqet nga konkursi vitin e ardhshëm nëse Izraeli merr pjesë.
Në fakt, Ksenija Horvat tha së fundmi se RTVE i ishte drejtuar disa herë EBU-së, me shqetësime në lidhje me pjesëmarrjen e Izraelit në garën e vitit të ardhshëm.
RTVSLO bëri thirrje për përjashtimin e Izraelit nga Eurovision 2025, duke iu bashkuar më shumë se 70 ish-konkurrentëve të Eurovision, që nënshkruan një letër të hapur, duke kërkuar që Izraeli dhe transmetuesi i tij kombëtar, KAN të përjashtohen nga konkursi.
Fituesi i Eurovisionit të vitit të kaluar, këngëtari austriak JJ, ka thënë se edhe ai dëshiron që Izraeli të përjashtohet nga Eurovision 2026.
EBU-ja e ka zgjatur afatin e tërheqjes pa penalizime deri në dhjetor, kur pritet një vendim përfundimtar mbi pjesëmarrjen e Izraelit në Asamblenë e Përgjithshme.
Që nga sulmi i Hamasit ndaj qytetarëve izraelitë më 7 tetor 2023, shumë ekspertë të të drejtave të njeriut të OKB-së kanë deklaruar se veprimet ushtarake të Izraelit në Gaza përbëjnë gjenocid, me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë që i ka gjetur të besueshme pretendimet për gjenocid.
Muajin e kaluar, Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore, njoftoi se njuerëzit në Rripin e Gazës po përballen zyrtarisht me një uri të shkaktuar nga njeriu në territor - pavarësisht asaj që ka thënë qeveria izraelite.
Edicioni i 70-vjetorit të Eurovisionit do të zhvillohet në Vjenë, Austri. Finalja do të zhvillohet më 16 maj pas gjysmëfinaleve më 12 dhe 14 maj 2026./ Euronews.