Barcelona shuan tensionet mes Gavit dhe Fermín López

Në muajt e fundit është folur shumë për marrëdhënien mes Gavi dhe Fermín López, dy nga talentet më premtues të akademisë së Barcelonës. Miq prej vitesh dhe të pandarë si brenda ashtu edhe jashtë fushe, gjatë verës së kaluar raportet e tyre u krisën nga disa episode tensioni që ngjallën dyshime mbi atmosferën në dhomën e zhveshjes së katalanasve.

Sipas gazetës AS, përplasja e parë ndodhi gjatë turit aziatik në Korenë e Jugut, kur në një duel për topin Gavi u përplas fort me Fermín-in, i cili mbeti i dëmtuar dhe pati nevojë për ndihmë për t’u ngritur. Fillimisht u duk si rast i izoluar, por pas kthimit në Barcelonë ndodhi një tjetër incident: një duel në stërvitje solli fjalë të ashpra mes tyre, aq sa shokët e skuadrës u detyruan të ndërhynin për të qetësuar situatën.

Kjo gjë shqetësoi stafin teknik, i frikësuar se një rivalitet i brendshëm mund të dëmtonte harmoninë e grupit. Trajneri Hansi Flick veproi menjëherë duke thirrur lojtarët në një bisedë sqaruese, ndërsa klubi pa edhe në ardhjen e Thiago Alcântara, një figure me autoritet e përvojë, një mënyrë për të balancuar egot dhe për të udhëhequr më të rinjtë.

Madje, sipas burimeve pranë lojtarit, Fermín López e kishte menduar seriozisht mundësinë e një transferimi te Chelsea, por pas bisedës me Flick ai vendosi të qëndronte, i qetësuar nga besimi që trajneri i tregoi. Nga ana tjetër, Gavi po punon për t’u rikuperuar nga dëmtimi në gjurin e djathtë, që mund të kërkojë ndërhyrje artroskopike.

Megjithë bujën që krijuan incidentet, burime brenda ekipit theksojnë se gjithçka është zgjidhur dhe se prioriteti i vetëm tani është ruajtja e unitetit në grup dhe fokusi te objektivat sezonalë.