Edgar Davids, viktimë e një mashtrimi, mikesha e tij i vodhi 37 vepra arti, e zbuloi rastësisht në Instagram
Ish-mesfushori i njohur holandez, Edgar Davids, ka qenë viktimë e një mashtrimi të pabesueshëm nga një person i konsideruar prej tij si mik i familjes. Bëhet fjalë për Nabila Habiby, e cila, duke përfituar nga besimi i ish-lojtarit, i vodhi 37 vepra arti me vlerë rreth 200 mijë euro dhe i nxori ato në ankand pa dijeninë e tij.
Davids, i pasionuar pas artit bashkëkohor dhe pronar i një koleksioni të çmuar, ia kishte besuar mikeshës ruajtjen e disa veprave në një nga apartamentet e tij në Londër. Ajo kishte madje edhe çelësat e shtëpisë dhe ishte kujdesur për sendet e tij personale për një kohë të gjatë. Por në fshehtësi, ndër vite, nisi të shiste një nga një veprat në tregun e zi dhe në shtëpitë e ankandit.
Mashtrimi u zbulua vetëm rastësisht në vitin 2017, kur një koleksionist i shkroi Davids-it në Instagram për t’i kërkuar më shumë informacion mbi një vepër që mbante emrin e tij. Ishte pikërisht ky mesazh që i hapi sytë ish-‘yllit’ të Juventusit, Barcelonës dhe Tottenhamit, duke kuptuar se pas shpine i ishin shitur një pjesë e madhe e koleksionit të tij.
Hetimet zbuluan se veprat nuk ndodheshin më në strukturën e sigurt, në Enfield, siç besonte Davids, por ishin dorëzuar në dyqane pengjesh dhe më pas nxjerrë në ankand. E gjithë skema mashtruese kishte ndodhur mes viteve 2014 dhe 2016.
Çështja ka kaluar në gjykatë dhe pritet që në nëntor të jepet vendimi përfundimtar, ku Nabila Habiby do të dënohet për mashtrim dhe shpërdorim të besimit. Për Davids, përveç dëmit financiar, ngjarja ka lënë edhe një plagë të thellë emocionale, pasi ishte tradhtuar nga një person që e konsideronte të afërt.