Zyrtare/ Andre Onana nis aventuren e re në futbollin turk

Portieri kamerunas Andre Onana ka kompletuar huazimin njëvjeçar nga Manchester United te skuadra turke Trabzonspor, ku do të luajë sezonin 2025-2026 në Superligën turke.

Pas dy sezonesh në “Old Trafford”, ish-portieri i Interit dhe Ajaxit vendosi të provonte një përvojë të re, pasi nuk arriti të bindte plotësisht me paraqitjet e tij në Premier League.

Onana humbi një pjesë të madhe të përgatitjeve verore për shkak të një dëmtimi muskulor, gjë që ndikoi në aktivizimin e tij minimal këtë sezon. Ai ka luajtur vetëm një ndeshje, në humbjen e Manchester United ndaj Grimsby Town në Carabao Cup, ku pas barazimit 2-2, “Djajtë e Kuq” u eliminuan pas penalltive 12-11. Kamerunasi u kritikua për golin e dytë të pësuar, një episod që u shtua në listën e gafave që e kanë shoqëruar gjatë aventurës së tij në Angli.

Edhe me Kombëtaren e Kamerunit, Onana nuk u ka shpëtuar kritikave. Në ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2026, ai u gjend nën presion pas humbjes 1-0 ndaj Kepit të Gjelbër, ku u akuzua se qëndroi pasiv në aksionin që solli golin.

Transferimi te Trabzonspori vjen pak ditë pasi Manchester United firmosi me portierin belg Senne Lammens nga Royal Antwerp, duke i hapur rrugën huazimit të Onana-s.

Tani, 29-vjeçari do të kërkojë të rilindë në Turqi, duke rikthyer sigurinë dhe formën që dikur e bënë një nga portierët më të vlerësuar në Europë.