Përmbytje tragjike në Bali: 14 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur

Të paktën 14 persona kanë humbur jetën në Bali të Indonezisë, pas përmbytjeve më të rënda që ishulli ka përjetuar në një dekadë. Shirat e rrëmbyeshëm bënë që lumenjtë të dilnin nga shtrati, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke detyruar qindra banorë të evakuohen nga shtëpitë e tyre. Dy persona rezultojnë ende të zhdukur në Denpasar, ku janë regjistruar edhe tetë nga viktimat.

Autoritetet raportojnë se rrëshqitjet e dheut kanë bllokuar rrugët kryesore, ndërsa të paktën dy ura janë dëmtuar rëndë. Në disa zona, rrjedha e ujit ishte aq e fuqishme sa edhe kamionët e shpëtimit e kishin të vështirë të kalonin. Presidenti Prabowo Subianto shprehu ngushëllimet e tij dhe kërkoi veprim të menjëhershëm nga agjencitë përkatëse për t’i ardhur në ndihmë banorëve.

Mes viktimave, dy persona humbën jetën nga goditja me rrymë elektrike në jugperëndim të Balit, ndërsa viktima të tjera u gjetën në Denpasar, Gianyar dhe Badung. Në total, mbi 85 banorë janë strehuar në qendra të përkohshme, ndërsa në Denpasar janë shembur dy ndërtesa.

Përmbytjet kanë prekur rëndë edhe zonat turistike të ishullit, ku hotelet dhe bizneset raportojnë dëme dhe ndërprerje të mëdha. Ekspertët thonë se mbeturinat dhe infrastruktura e dobët e kullimit kanë përkeqësuar situatën, duke ekspozuar sërish problemet e hershme të menaxhimit të mbetjeve në Bali.

Ndërkohë, edhe provinca fqinje Nusa Tenggara Lindore është goditur nga reshjet, ku kanë humbur jetën tre persona dhe katër të tjerë raportohen të zhdukur. Autoritetet klimatologjike bënë të ditur se në Bali janë regjistruar mbi 385 mm shi brenda 24 orëve.

Për momentin, shirat kanë pushuar dhe niveli i ujit është në rënie, por paralajmërimi për mot të keq mbetet në fuqi. Zyrtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po e bëjnë gjithnjë e më të zakonshme situata të tilla ekstreme në arkipelagun indonezian.