'Dëgjimi selektiv' nuk është zgjedhje, por proces neurologjik real
Mund të mendoni se "dëgjimi selektiv" i bashkëshortit tuaj është thjesht një zgjedhje, por shkenca thotë ndryshe.
Fenomeni i dëgjimit selektiv është më shumë sesa të zgjedhësh kur të dëgjosh apo jo, sipas një artikulli të fundit nga dr. Stella Fulman në Audiology Island në New York.
"Dëgjimi selektiv është aftësia e trurit për t'i dhënë përparësi dhe për të përpunuar disa stimuj auditivë mbi të tjerët," shkroi ajo. "Ai u mundëson individëve të përqendrohen tek tinguj të caktuar, duke injoruar ose minimizuar ndikimin e zhurmave konkurruese. Kjo ndodh automatikisht, duke u lejuar njerëzve të mbajnë fokusin te informacioni i rëndësishëm edhe në mjedise sfiduese."
Në një intervistë për Fox News Digital, Jorge Rey, audiolog në Miami Beach, konfirmoi se dëgjimi selektiv "nuk është thjesht çështje e injorimit të dikujt, por një proces neurologjik i rrënjosur në mënyrën si truri përpunon tingujt."
Shkencërisht, kjo quhet "vëmendje selektive auditive", ku filtri i brendshëm i trurit përqendrohet në tingujt e rëndësishëm dhe ndan fjalën kuptimplotë nga zhurma e sfondit.
Një shembull klasik është dëgjimi i zërit të një miku në një restorant plot njerëz, i njohur si "efekti i festës me kokteje."
Procesi përfshin korteksin auditiv, që përpunon tingujt, dhe korteksin prefrontal, që kontrollon vëmendjen dhe vendimmarrjen. Kujtesa e punës ndihmon në ndjekjen e bisedës.
Dëgjimi selektiv bëhet problem kur ndikon në jetën e përditshme ose marrëdhënie, por "humbjet e përkohshme të fokusit në mjedise me zhurmë janë të pritshme," sugjeron Rey.
Me kalimin e moshës, humbja e dëgjimit e bën këtë proces më të vështirë, duke shkaktuar "lodhje dëgjimi", që e rëndon trurin. Edhe humbja e lehtë e dëgjimit mund ta detyrojë trurin të punojë më shumë për të plotësuar tingujt e munguar, duke ndikuar negativisht kujtesën dhe shëndetin kognitiv.
Shenja të humbjes së dëgjimit përfshijnë vështirësi në ndjekjen e bisedave në mjedise të zhurmshme, kërkesa të shpeshta për përsëritje, përgjigje të parëndësishme, ose ndjesi lodhjeje dhe tërheqjeje sociale.
Nëse këto shenja janë të shpeshta, këshillohet kontroll te një audiolog. Aparatet e dëgjimit moderne filtrojnë zhurmat dhe përforcojnë fjalën, madje lidhen me telefonat inteligjentë. Për të ndihmuar personat me vështirësi dëgjimi, ekspertët rekomandojnë të flitet përballë tyre, me shprehje të qarta të fytyrës dhe të minimizohet zhurma e sfondit. /Fox News - Syri.net