Michael Owen jep verdiktin e tij për Topin e Artë: Zgjedhja ime është...

Ish-‘ylli’ i Liverpoolit, Michael Owen, ka ndarë mendimin e tij për fituesin e ardhshëm të Topit të Artë, duke vendosur në krye të listës sulmuesin francez të Paris Saint-Germain, Ousmane Dembele.

Sipas Owen, francezi ka qenë lojtari më vendimtar i vitit të kaluar, duke lënë pas emra të mëdhenj si Mohamed Salah dhe Lamine Yamal.

“Yamal pa dyshim që do të ketë një mundësi reale, është një talent i jashtëzakonshëm. Megjithatë, për mua PSG bëri një sezon të jashtëzakonshëm dhe mendoj se Dembélé do të ishte zgjedhja ime. Salah është gjithmonë aty për t’u përmendur, ai e meriton respektin për vazhdimësinë që ka treguar, por këtë vit balanca anon nga Dembele”, – tha anglezi për ‘Sportskeeda’.

Statistikat e francezit i japin të drejtë Owen-it: në sezonin 2024/25, Dembele zhvilloi 53 ndeshje me PSG-në, duke shënuar 35 gola dhe dhënë 16 asistime, ndërkohë që ekipi fitoi Champions League, Kupën e Francës dhe titullin e Ligue 1.

Me këtë performancë, 27-vjeçari shihet si favorit i madh për të marrë trofeun individual më prestigjioz në botën e futbollit.