Kritikat ndaj Presidentes së KE-së, paraqiten dy mocione mosbesimi kundër von der Leyen
Parlamenti Evropian ka konfirmuar marrjen e dy mocioneve të reja të mosbesimit kundër Komisionit të BE-së, të udhëhequr nga Ursula von der Leyen.
Administrata e Parlamentit po shqyrton tani, nëse mjaftueshëm eurodeputetë i mbështesin propozimet. Nëse po, Parlamenti potencialisht mund të debatojë dhe votojë për mocionet që në tetor.
Kritika ndaj politikës klimatike dhe marrëveshjeve tregtare
Mocionet e mosbesimit u paraqitën nga grupi i krahut të djathtë Patriotët (PfE) dhe grupi i majtë (Majtas). Mocioni i PfE kritikon, ndër të tjera, politikat e von der Leyen për klimën dhe migracionin. Deputetët gjithashtu e akuzojnë atë për mungesë transparence dhe censurë.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Majtë, Martin Schirdewan, kritikoi: "Komisioni ka lidhur një marrëveshje katastrofike doganore me Trumpin". Ai argumentoi se pakti ishte një sulm ndaj industrisë evropiane dhe do të shkatërronte mijëra vende pune. Për më tepër, Komisioni kishte heshtur për një kohë shumë të gjatë përballë katastrofës humanitare në Rripin e Gazës.
Von der Leyen i ka mbijetuar tashmë një mocioni mosbesimi.
Vetëm më 10 korrik, von der Leyen i mbijetoi një vote mosbesimi. Ishte e para në Parlamentin Europian që nga viti 2014 dhe u mbështet kryesisht nga eurodeputetët e krahut të djathtë, të cilët akuzuan von der Leyen dhe ekipin e saj për minimin e besimit në BE përmes veprimeve të paligjshme.
Në atë kohë, 360 deputetë votuan kundër mocionit dhe 175 pro – dukshëm më pak se shumica e kërkuar prej dy të tretash e të gjitha votave të hedhura./ Der Standard.