Lidhje të ngushta me Jeffrey Epstein, Mbretëria e Bashkuar shkarkon ambasadorin e saj në SHBA

Qeveria britanike njoftoi sot se shkarkoi ambasadorin e saj në Uashington, Peter Mandelson, pasi një sërë emailesh dhe korrespondencash të tjera zbuluan qartë lidhjet e ngushta të tij me financierin dhe të dënuarin për abuzim seksual, Jeffrey Epstein.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme britanike tha: “Email-et tregojnë se thellësia dhe shtrirja e marrëdhënies së Peter Mandelson me Jeffrey Epstein është dukshëm ndryshe nga ajo që dihej në momentin e emërimit të tij.”

Qeveria veçoi një email të vitit 2008, ku Mandelson i shkruante Epstein, duke shprehur keqardhje për dënimin e tij për shfrytëzim seksual të një të miture dhe duke i dhënë këshilla për mënyrën se si të luftonte problemet ligjore.

“Sugjerimi i Peter Mandelson se dënimi i parë i Jeffrey Epstein ishte i padrejtë dhe duhej sfiduar përbën informacion të ri,” thuhej në deklaratë. “Duke marrë parasysh këtë dhe duke qenë të vetëdijshëm për viktimat e krimeve të Epstein, ai është tërhequr nga posti i ambasadorit me efekt të menjëhershëm.”