Frika nga denoncimet e opozitës/ Rama i jep drejtimin e komisionit të integrimit maxhorancës

Kryeministri Rama ka zbuluar ndarjen e Komisioneve Parlamentare në Asamblenë e PS-së. Rama deklaroi se Komisioni i Integrimit do të bashkohet me Komisionin e Jashtëm.

Kreu i qeverisë ia hoqi Komisionin opozitës, duke ia kaluar maxhorancës qeverisëse.

Edi Rama: Bashkimi në 1 i Evropës dhe Punës së Jashtme edhe në Parlament reflekton vullnetin tonë të plotë si shumicë parlamentare për ta konsoliduar qasjen e Shqipërisë ndaj punëve të veta të jashtme si qasje të një vendi anëtar të BE, i cili është tërësisht i linjëzuar me politikën e përbashkët të BE, një kthjelltësi e vyer sidomos në kushtet e dinamikave të reja gjeopolitike. Sugjeroj që këtë komision ta drejtojë shumica parlamentare.

Ajo çfarë pritej. Ai mundohet që të largojë sa më shumë opozitën nga kontaktet me ndërkombëtarët, sepse e di që aty është mundësia me e madhe që atyre tu shpjegohet se çfarë narkoshteti ka ndërtuar Edi Rama në Shqipëri.

Komisionet

Rama tha se do të jenë 11 komisionet e përhershme të kuvendit të ri.
Në përbërje do të ketë më pak anëtarë, tha kreu i qeverisë. 7 prej tyre do të drejtohen nga maxhoranca dhe 4 nga opozita. 

1.    Komisioni për Ekonominë, punësimin dhe financat - Shumica
2.    Komisioni për Çështjet ligjore dhe Administratën publike - Shumica 
3.    Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes - Shumica 
4.    Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe sportet - Opozita 
5.    Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale - Opozita 
6.    Komisioni për Burimet Natyrore, infrastrukturën dhe zhvillimin e qëndrueshëm - Shumica 
7.    Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik - Opozita
8.    Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural - Shumica 
9.    Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën  - Opozita
10.    Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme - Shumica 
11.     Komisioni për Nismat qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale - Shumica