Shqiptari në kërkim ndërkombëtar arrestohet në portin e Barit, ishte fshehur në një kamion me mallra për në Shqipëri
Nga ALBA KEPI
Një shtetas shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar nga Forcat e Guardia di Finanza të Grupit të II-të në Bari, me mbështetjen e Policisë Kufitare, në portin e qytetit.
Ai ishte fshehur mes paletave me materiale elektrike në një kamion që po përgatitej të imbarkohej drejt Shqipërisë.
Gazetarja Alba Kepi raporton se gjatë kontrolleve rutinë në mjetet dhe mallrat që dalin nga territori italian dhe shkojnë në vendet jashtë zonës Schengen, autoritetet zbuluan të dyshuarin, i cili rezultoi të ishte nën një urdhër ndërkombëtar arresti të lëshuar më 10 shkurt 2025 nga Gjykata e Vlorës.
Shqiptari, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ishte në kërkim prej muajsh për dhunë në familje, rrëmbim dhe kërcënime, vepra të kryera në Shqipëri në fillim të vitit 2025.
Pas arrestimit, ai u dërgua në burgun e Barit në pritje të vendimeve të mëtejshme nga autoritetet gjyqësore italiane.