Dikur kishte kapiten Lorik Canën, i jep lamtumirën futbollit në moshën 40-vjeçare
Portieri i njohur francez, Steve Mandanda, shpall zyrtarisht tërheqjen nga futbolli aktiv në moshën 40-vjeçare. Kampioni i botës me Francën në vitin 2018 e bëri të ditur vendimin e tij përmes një interviste për L’Équipe, duke pranuar se nuk ishte një hap i lehtë:
“Kam marrë kohën time për të marrë një vendim që nuk ishte i thjeshtë. Kam marrë shumë telefonata, por gjithmonë kam thënë jo”, – u shpreh Mandanda, i cili në korrik përfundoi kontratën e tij me Rennes.
Shumicën dërrmuese të karrierës, portieri me origjinë nga Kinshasa e kaloi te Olympique Marseille, ku u bashkua në vitin 2007 dhe qëndroi për plot 14 sezone. Me klubin marsilez ai fitoi titullin e Ligue 1 në vitin 2010, tri Kupa të Ligës dhe dy Superkupa të Francës, nën drejtimin e Didier Deschamps, i cili më vonë do të bëhej trajner i kombëtares franceze.
Mandanda debutoi me Francën në vitin 2008 nën drejtimin e Raymond Domenech dhe për një vit ishte portieri titullar. Më pas, gjatë pjesës më të madhe të karrierës ndërkombëtare, ai u bë zëvendësues i Hugo Lloris, duke mbetur megjithatë një figurë e rëndësishme e skuadrës kampione të botës në Rusi 2018.
Me këtë vendim, futbolli francez i thotë lamtumirë njërit prej portierëve më të respektuar të gjeneratës së tij, i cili me personalitetin dhe kontributin e tij ka lënë gjurmë të thella si te Marseille, ashtu edhe te kombëtarja “Les Bleus”.