Njëra nga viktimat fal futbollistin e Real Madridit dhe tërheq akuzën

Çështja gjyqësore ndaj futbollistit të Real Madridit, Raúl Asencio, ka marrë një kthesë të rëndësishme. Sipas asaj që raportoi programi “El Partidazo de COPE”, njëra nga dy viktimat ka vendosur ta falë lojtarin dhe të tërheqë akuzën ndaj tij.

“Pranoj ndjesën dhe shpreh faljen time. Nuk dua që (Raúl Asencio) të ndëshkohet penalisht” – shkruhet në dokumentin e dorëzuar nga viktima 18-vjeçare, i cili u bë publik nga gazetari Ángel G. Muñiz. Ajo shpjegon se e konsideron veprimin e Asencios një “gabim të rastësishëm, pa qëllim të keq”, dhe prandaj nuk dëshiron ndëshkim penal për të.

Megjithatë, akuza ndaj tre të dyshuarve të tjerë mbetet në fuqi, ashtu si dhe padia e viktimës së mitur, 16-vjeçare, ndaj mbrojtësit spanjoll.

Kujtojmë se në maj 2025 gjykata kishte hequr akuzën më të rëndë ndaj Asencios, atë të regjistrimit të materialeve me përmbajtje seksuale, që i ishte atribuar fillimisht.

Nga ana e tij, lojtari i Real Madridit ka dërguar një letër në gjykatë, ku pranon gabimin dhe kërkon ndjesë publike: “E pranoj se kam bërë një gabim. Dua të kërkoj falje shprehimisht dhe pa kushte.”

Sipas Kodit Penal spanjoll, në rastet e “shpërndarjes së sekreteve”, falja e të dëmtuarit mund të shuajë veprimin penal, gjë që mund të ketë ndikim të madh në ecurinë e mëtejshme të procesit.

Ngjarja për të cilën akuzohet Raúl Asencio ka ndodhur në datën 15 qershor 2023 në një plazh-klub në Amadores, Gran Canaria, dhe përfshin katër futbollistë të Real Madridit, Ferrán Ruiz, Juan Rodríguez, Andrés García dhe vetë Asencios, si dhe dy vajza, njëra prej të cilave 16 vjeçe dhe tjetra 18 vjeçe. Ata kryen marrëdhënie konsensuale, por e regjistruan aktin, duke e shpërndarë më pas në grupet WhatsApp.