Rabiot përshëndet Marsejën: Nuk do t’ju harroj kurrë
Para se të nisë zyrtarisht aventurën e tij me Milanin, Adrien Rabiot ka zgjedhur të dërgojë një mesazh prekës për tifozët e Olympique Marseille. Në një postim në rrjetet sociale, mesfushori francez falënderoi publikisht mbështetjen e marrë gjatë qëndrimit në “Vélodrome”:
“Tifozë të dashur marsejezë, para se të nisja kapitullin tim të ri në Milano, doja t’ju drejtohesha me disa fjalë. Që nga dita e parë kur mbërrita në Marignane, nuk u ndalët tek e kaluara ime pariziene, por më pranuat menjëherë si një nga ju, deri ditën që u largova.
Gjatë gjithë sezonit më keni inkurajuar, shoqëruar, mbështetur dhe duartrokitur… më keni dhënë një forcë të pakushtëzuar. E kam ndier këtë pasion, këtë dashuri për futbollin që ju karakterizon dhe që e bën Marsejën një qytet e një klub unik në Francë.
Nuk do të harroj kurrë atmosferën e “Vélodrome”: koret, tifozëritë, thirrjen ‘Aux armes’. Gëzimet në festime dhe, mbi të gjitha, ndjesinë e papërshkrueshme të shënimit në këtë stadium. Ishte një kënaqësi e madhe të mbroja ngjyrat tuaja, ato të Olympique de Marseille. Faleminderit për gjithçka, popull Bleu & Blanc”.
Me këtë mesazh lamtumire, Rabiot mbyll eksperiencën e tij në Francë dhe është gati të nisë një kapitull të ri me fanellën e Milanit.