E trishtë/ Humbi jetën nga shtylla e dëmtuar, trupi i të ndjerit u la për një orë në mes të rrugës
Një ngjarje e rëndë tronditi mëngjesin e sotëm qytetin e Durrësit, ku një burrë humbi jetën pasi ra në kontakt me një shtyllë elektrike të dëmtuar, në një rrugë të përmbytur nga reshjet e dendura.
Tragjedia bëhet edhe më e rëndë nga fakti se autoritetet e lanë trupin e viktimës të palëvizur për më shumë se një orë.
Banorë pranë vendngjarjes deklarojnë se kishin ngritur shqetësime për rrezikun që paraqiste shtylla prej më shumë se një jave, por paralajmërimet e tyre janë injoruar.
Sipas dëshmive, viktima ka qenë duke kaluar në zonë kur u përplas me ujin pranë shtyllës së amortizuar, një kontakt që i shkaktoi vdekjen e menjëhershme.
Pamjet të siguruara nga Syri TV tregojnë momentin kur ambulanca mbërriti, ndërkohë që trupi i viktimës qëndronte i pa lëvizur në rrugë për rreth një orë, për shkak të procedurave ligjore dhe vonesave administrative.
Ngjarja ngre pyetje serioze mbi përgjegjësinë e institucioneve në ruajtjen e jetës së qytetarëve dhe reagimin ndaj situatave emergjente.
Policia ka vendosur shirita kufizues dhe po heton rrethanat e ngjarjes, ndërsa banorët e zonës shprehen të zhgënjyer për indiferencën e autoriteteve, duke theksuar se një ndërhyrje e hershme mund të kishte shpëtuar jetën e viktimës.