'Tragjedi në Durrës'/ Bie në kontakt me korentin e shtyllës së dëmtuar, humb jetën qytetari. Paralajmërimet e banorëve u injoruan nga institucionet

Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e sotëm në qytetin e Durrësit, ku një burrë ka humbur jetën pasi ra në kontakt me një shtyllë elektrike të dëmtuar, në një rrugë të përmbytur nga reshjet e dendura të orëve të fundit.

Sipas të dhënave paraprake, viktima ka qenë duke kaluar në zonë kur ka prekur ujin në rrugë pranë shtyllës së amortizuar, e cila prej ditësh përbënte rrezik për kalimtarët. Ky kontakt fatal i shkaktoi vdekjen e menjëhershme.

Banorë dhe biznese pranë vendngjarjes deklarojnë se prej më shumë se një jave kishin ngritur shqetësimin për rrezikun e shtyllës, por thirrjet e tyre janë injoruar nga autoritetet përgjegjëse.

Ata shprehen jashtë kamerave se ishin të vetëdijshëm për pasojat që mund të sillte kjo situatë, por askush nuk u kujdes ta zgjidhte.

Tragjedia bëhet edhe më e rëndë nga fakti se trupi i viktimës ka mbetur në rrugë për më shumë se një orë, në pritje të kryerjes së procedurave ligjore.

Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, e cila ka vendosur shirita kufizues dhe po heton rrethanat.

Ky incident i rëndë ngre edhe njëherë në pah mungesën e përgjegjësisë së institucioneve për mirëmbajtjen e infrastrukturës elektrike dhe mbrojtjen e qytetarëve.

Një paralajmërim i shpërfillur, një ndërhyrje e vonuar dhe një jetë e humbur, ky është bilanci tragjik i pakujdesisë institucionale në Durrës.