SYRI TV/ Fruta-perime me helme nga Shqipëria drejt BE, në 8 muaj bllokohen 20 ngarkesa prodhimesh
Vende të ndryshme të Bashkimit Europian, kanë ndaluar së paku 20 ngarkesa me prodhime bujqësore Shqipëria, të cilat janë konstatuar me përmbajtje të lartë pesticidesh dhe helmesh të rrezikshme për shëndetin e njeriut. Teksa në Bashkimin Europian funksionojnë sistemet e alarmit për sigurinë ushqimore, pikëpyetjet ngrihen për Shqipërinë.
Syri TV
Të paktën 20 ngarkesa eksporti me prodhime bujqësore dhe blegtorale nga Shqipëria, janë bllokuar nga vendet e Bashkimit Europian deri në datën 5 shtator të vitit 2025. Vende si Sllovenia, Kroacia, Italia, Polonia, Greqia dhe vetë Komisioni Europian, kanë bërë ndalimin e dhjetëra tonëve me prodhime bujqësore dhe blegtorale, të importuara nga Shqipëria për në vendet e Bashkimit Europian, për shkak se janë dyshuar se këto prodhime kanë pasur nivele të larta të pesticideve.
Ngarkesa e fundit e bllokuar është një sasi e madhe specash në Slloveni, të cilat kishin mbërritur nga Shqipëria. Sipas të dhënave të RASFF, sistemi i alertit i Bashkimit Europian, rezulton se specat nga Shqipëria të bllokuara në Slloveni, kishin mbetje të lartë pesticidesh. Kjo sasi është konsideruar me risk serioz për shëndetin e konsumatorëve.
Më herët në vendet e Bashkimit Europian janë bllokuar edhe sasi të mëdha domatesh, pjeshkësh, mandarinash etj, të cilat kanë pasur përmbajtje të lartë pesticidesh, dhe preparatesh të ndaluara. Në kushtet kur Bashkimi Europian ka një sistem alarmi funksional për mbrojtjen e konsumatorëve të vet, pyetja që ngrihet është po shqiptarët kush po i mbron?