Grupi euroskeptik nis mocion mosbesimi kundër Komisionit Evropian, Von der Leyen përballet me Parlamentin në tetor
Patriotët për Evropën (PfE), grupi euroskeptik i ekstremit të djathtë, kanë mbledhur nënshkrime të mjaftueshme për të nisur një mocion mosbesimi kundër Komisionit Evropian, njoftoi grupi të mërkurën.
Mocioni, i cili mund të detyrojë presidenten Ursula von der Leyen dhe komisionerët të japin dorëheqjen, do t’i paraqitet zyrtarisht presidentit të Parlamentit Europian “menjëherë”, tha nënkryetarja e parë e PfE-së, Kinga Gál, për Euronews.
Grupi ka mbledhur 85 nënshkrime, duke tejkaluar pragun minimal prej 72 nënshkrimesh të nevojshme për të nisur procesin. Lajmi u bë i ditur nga presidenti i PfE-së, Jordan Bardella, dhe nënkryetarja Kinga Gál gjatë një konference për shtyp në Parlamentin Evropian në Strasburg, pak pasi Von der Leyen përfundoi fjalimin e saj për Gjendjen e Unionit.
“Ky Komision dhe presidenti i tij kanë dështuar në paqe, tregti, konkurrencë dhe migrim”, tha Gál, duke shpjeguar arsyet e paraqitjes së mocionit. Në thelb të këtij mocioni qëndron politika tregtare e Komisionit, përfshirë marrëveshjen BE-Mercosur të nënshkruar në dhjetor 2024 dhe kuadrin e fundit tregtar BE-SHBA, sipas PfE-së.
Pasi nënshkrimet të verifikohen nga shërbimet e Parlamentit, presidenti i Parlamentit duhet të informojë ligjvënësit dhe të caktojë një debat plenar mbi kërkesën për dorëheqje, të paktën 24 orë pas njoftimit. Për këtë arsye, mocioni mund të debatohet dhe votohet në tetor. Megjithatë, shanset për të detyruar dorëheqjen e Kolegjit të Komisionerëve mbeten të vogla, pasi për këtë kërkohen dy të tretat e votave të të gjithë eurodeputetëve.
Një mocion i ngjashëm i ekstremit të djathtë u votua në korrik, me vetëm 175 eurodeputetë pro, shumë larg numrit të nevojshëm për të miratuar dorëheqjen.
Ndërkohë, Grupi i Majtë është gjithashtu shumë afër paraqitjes së mocionit të vet të mosbesimit. Burime të brendshme thonë se janë arritur nënshkrimet minimale, me pjesëmarrjen e anëtarëve nga grupe të tjera politike si Socialistët, Demokratët, Të Gjelbrit/EFA dhe eurodeputetët jo të atashuar. Mocioni i së majtës kritikon jo vetëm politikën tregtare të BE-së, por edhe dështimin e Komisionit për të vepruar ndaj Qeverisë Izraelite për shkelje të dyshuara të ligjit ndërkombëtar dhe humanitar në Gaza.