‘SHBA bashkëpunon vetëm me vendet që luftojnë krimin e organizuar’/ Nezaj: Shqipëria parajsë e pastrimit të parave
E dërguara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy Van Horn, deklaroi ditën e sotme se, Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë ngushtë vetëm me ato vende që ndodhen në të njëjtin nivel lufte me krimin e organizuar.
Në lidhje me këtë deklaratë, analisti Sami Nezaj tha në ‘Task Force’ me Sonila Me’on në SYRI TV se, kryeministri Edi Rama nuk ka asnjë fjalim publik kundër krimit të organizuar në Shqipëri apo organizatave shqiptare me bazë në Amerikën Latine dhe Europë.
‘Kjo do të thotë se, qeveria shqiptare nuk është në nivelin e luftës kundër krimit të organizuar. Kjo do të thotë se ata e kanë shumë të vështirë të marrin të njëjtën përgjigje, sipas nevojës që amerikanët kanë për Shqipërinë, aq më tepër që kemi gjithë ato banda të identifikuara në Shqipëri.
Në Shqipëri është parajsa e pastrimit të parave të narkotikëve dhe krimit të organizuar, duke pasur parasysh se të paktën gati 1/3 e buxhetit vjetor të Shqipërisë është para e zezë e investuar kryesisht në kompanitë e ndërtimit ose në sektorin e ndërtimit.’- u shpreh Nezaj.
Gjatë fjalës së tij, Nezaj shtoi se ekonomia shqiptare po jep sinjale të qarta rënieje.
‘Praktikisht në 6-mujorin e parë të këtij viti ka shenja të rënies së ekonomisë së Shqipërisë. Shumë projeksione që e kishin përcaktuar nivelin e rritjes ekonomike në 4% tani e kanë ulur këtë nivel. Në një vend si Shqipëria, në zhvillim, rritja 4% është shumë e vogël, por tani rritja është edhe më e vogël për shkak se ka filluar të ketë një zbritje të kontributit të ndërtimit në rritjen ekonomike.’, përfundoi Sami Nezaj gjatë diskutimit në SYRI TV.