Me fakte: Reforma që ktheu drejtësinë në filial të qeverisë Rama
Procesi i Vetingut solli një “tërmet” në sistemin gjyqësor shqiptar, duke larguar nga detyra thuajse gjysmën e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky proces, i shumë-diskutuar për standardet e tij të dyshimta dhe prapaskenat politike, krijoi një krizë të thellë në drejtësi.
Por kriza, si gjithmonë, u kthye në mundësi: vende kyçe në gjykata dhe prokurori nisën të mbushen nga ish-drejtorë dhe funksionarë të Partisë Socialiste, të cilët, përmes Shkollës së Magjistraturës, u katapultuan në pozita drejtuese të sistemit gjyqësor.
Një rol kyç në këtë proces ka luajtur edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), i cili jo vetëm që ka vonuar me vite emërimet ligjore të kryetarëve të gjykatave, por përmes një “modifikimi ligjor” të vitit 2021 ka hapur rrugë që persona me pak ose aspak përvojë gjyqësore të ngjiten me shpejtësi në drejtim.
Shkodra: Ish-drejtoresha e Transportit, kryesuese e Gjykatës
Në tetor të vitit 2024, trupa e gjyqtarëve të Shkodrës zgjodhi Egla Mirashin në pozicionin e zëvendëskryetares së gjykatës. Por duke qenë se institucioni nuk ka një kryetar të emëruar nga KLGJ, prej gati një viti Mirashi ushtron edhe funksionet e kryetares së Gjykatës së Shkodrës.
Karriera e saj përpara hyrjes në drejtësi lidhet ngushtësisht me pushtetin politik: deri në vitin 2019, Egla Mirashi ishte Drejtoreshë Rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor në Shkodër, në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës. Në vitin 2020 ajo u regjistrua në Shkollën e Magjistraturës dhe, pas përfundimit të studimeve në vitin 2023, u emërua gjyqtare në qytetin e Shkodrës. Pa mbushur ende një vit në këtë detyrë, ajo mori drejtimin de facto të institucionit.
Në biografinë e saj zyrtare nuk përmendet aspak përvoja si drejtuese e Transportit Rrugor, ndonëse ajo ka qenë një prej funksioneve më të rëndësishme që mbajti para se të hynte në sistemin e drejtësisë.
Reforma në Drejtësi rezultoi “fat-sjellëse” edhe për bashkëshortin e saj, Albert Spahiu. Ai ka mbajtur më herët postin e drejtorit rajonal të ALUIZNI-t në Shkodër, një tjetër pozicion i rëndësishëm në administratën e “Rilindjes”. Në vitin 2022, Spahiu u pranua në Shkollën e Magjistraturës dhe në korrik 2025 përfundoi studimet, duke qenë në pritje të emërimit si gjyqtar nga KLGJ.
Vlora: Enkel Peza dhe rrjeti familjar i “Rilindjes”
Në vitin 2019, Enkel Peza ishte këshilltar ligjor pranë Gjykatës Administrative të Tiranës. Ai ndoqi një kurs të përshpejtuar 1-vjeçar “ex officio” në Shkollën e Magjistraturës dhe, në vitin 2020, u emërua gjyqtar në Gjykatën e Vlorës.
Vetëm tre vjet më vonë, në korrik 2023, Peza u zgjodh zëvendëskryetar i gjykatës, duke ushtruar edhe funksionet e kryetarit, për shkak të mungesës së emërimit zyrtar nga KLGJ.
Familja Peza është e lidhur ngushtë me Partinë Socialiste: babai i tij, Baqif Peza, ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të Kavajës me siglën e PS-së, ndërsa motra, Matilda Peza, ka drejtuar zyrën e Hipotekës në Kavajë gjatë qeverisjes së Ramës. Pas këtij funksioni, ajo u pranua në Shkollën e Magjistraturës dhe sot shërben si prokurore në Vlorë.
Prokurorja Peza u bë e njohur publikisht kur drejtoi operacionin me sfond politik që çoi në arrestimin e kandidatit të opozitës për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, vetëm tre ditë para zgjedhjeve lokale të vitit 2023.
Ndërkohë, Enkel Peza jo vetëm që ka në dorë drejtimin e Gjykatës së Vlorës, por është edhe pjesë e trupës së Kolegjit Zgjedhor, që certifikoi së fundmi mandatin e katërt të Edi Ramës. Burime të ndryshme flasin se atij i është premtuar edhe një transferim në Tiranë, në kundërshtim me parashikimet e Kodit Zgjedhor.
Elbasani: Familja në krye të drejtësisë
Një tjetër rast tipik është ai i Gjykatës së Elbasanit. Artur Prenga, gjyqtar i dalë nga Shkolla e Magjistraturës në vitin 2019, sot është zëvendëskryetar i gjykatës me kompetencat e kryetarit. Në CV-në e tij publike nuk sqarohet aktiviteti profesional gjatë viteve 2014–2019, periudhë gjatë së cilës ai kishte përfunduar studimet për drejtësi por nuk rezulton të ketë ushtruar detyra konkrete.
Përtej kësaj, Prenga është bashkëshorti i Emona Muçit, anëtare aktuale e Këshillit të Lartë Gjyqësor, organi që vendos edhe për emërimet e kryetarëve të gjykatave. Ky fakt e bën edhe më të dyshimtë mënyrën si ai u vendos në krye të Gjykatës së Elbasanit pa plotësuar kriteret minimale.
Por rasti i Elbasanit nuk mbyllet këtu. Emirjana Dimo, kunata e Naureda Llagamit, u komandua po në këtë gjykatë për shkak të “ngarkesës së lartë të punës”. Megjithatë, ajo nuk u paraqit asnjë ditë në detyrë, pasi ishte me leje lindjeje. Pas përfundimit të lejes, Dimo u transferua në Durrës. Ajo është bashkëshortja e vëllait të Llagamit, i cili rezulton i përfshirë në aferën e përgjuar për përzgjedhjen në Byronë Kombëtare të Hetimit, ku përmendet edhe deputetja Klotilda Bushka.
Loja e KLGJ-së: Kryetarë të komanduar, ligj i ndryshuar
Kushtetuta përcakton qartë se gjyqtarët janë të pavarur dhe se kryetari i gjykatës është “i pari ndër të barabartët”. Megjithatë, në praktikë, drejtuesi i gjykatës ka pushtet real mbi shpërndarjen e çështjeve, mbi sugjerimet për inspektime ndaj gjyqtarëve dhe mbi mënyrën si funksionon gjykata. Pra, posti i kryetarit është vendimtar për sistemin e drejtësisë.
Ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” kërkon që një gjyqtar të ketë të paktën 7 vite përvojë për të qenë kryetar gjykate, ndërsa ligji fillestar i vitit 2016 parashikonte që zv.kryetari duhej të kishte të paktën 5 vite përvojë gjyqësore.
Por në vitin 2021, shumica socialiste bëri një ndryshim vendimtar: nëse asnjë gjyqtar nuk aplikon për postin e zv.kryetarit, atëherë në këtë detyrë mund të zgjidhet çdo gjyqtar i gjykatës, pavarësisht përvojës. Ky amendament “i vogël” e rrëzoi praktikisht kriterin e 5 viteve, duke hapur rrugë që gjyqtarë me vetëm një apo tre vite në detyrë, si Mirashi apo Peza, të ngjiten në krye të gjykatave.
Kombinimi i këtij ndryshimi ligjor me vonesat e pajustifikuara të KLGJ-së për emërimet përfundimtare ka krijuar një skemë të re të kontrollit të drejtësisë: shumica dërrmuese e gjykatave drejtohen sot nga kryetarë të komanduar, shpesh me lidhje të drejtpërdrejta politike dhe familjare me pushtetin.
Në pamje të parë, duket si një vakum burokratik i një institucioni të ri si KLGJ. Por në thelb, kjo “lojë” ka prodhuar një realitet ku drejtësia shqiptare drejtohet nga ish-drejtorë të qeverisë dhe militantë të “Rilindjes”, të vendosur në pozita kyçe përmes shkeljes ose anashkalimit të kritereve ligjore./Boldnews
Përfundim: Drejtësi e komanduar
Me pak fjalë, Reforma në Drejtësi u promovua si procesi më i madh i pastrimit të sistemit nga korrupsioni dhe lidhjet politike. Por realiteti i sotëm tregon një pamje krejt të kundërt: vendet e boshatisura nga Vetingu janë mbushur me figura të reja, por jo të pavarura, përkundrazi, të lidhura ngushtë me pushtetin politik dhe administratën e “Rilindjes” së Edi Ramës.
Ndryshimet ligjore të vitit 2021 dhe vonesat e qëllimshme të Këshillit të Lartë Gjyqësor në emërimet e kryetarëve, nuk duken më si “rastësi” burokratike, por si pjesë e një skeme të mirëmenduar për të vendosur njerëz të besuar në poste kyçe. Duke u fshehur pas formulës së “zv.kryetarëve të komanduar”, gjykatat shqiptare sot drejtohen nga gjyqtarë me pak eksperiencë, por me lidhje të forta politike dhe familjare.
Gjithashtu kujtojmë se:
• Vetingu u krye nga motra e zv. Kryeministres Balluku.
• ILD drejtohet nga Artur Metani, ish-drejtor juridik në Kryeministri dhe vëllai i ministres së PS Gjermeni.
• kryetari i GJL nuk ka fare raport vetingu të kryer.
• Të gjithë emërimet në sistem të drejtësisë u kryen në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca politike e PS në Kuvend.
Pasojat janë të dukshme:
* Pavarësia e gjyqësorit është kompromentuar. Kur gjyqtari që vendos për një çështje del nga zyrat e qeverisë, besimi publik në drejtësi bie.
* Proceset gjyqësore rrezikojnë të kthehen në instrument politik. Rasti i arrestimit të kandidatit opozitar Fredi Beleri vetëm tre ditë para zgjedhjeve është ilustrimi më i qartë.
* Meritokracia është zëvendësuar nga nepotizmi. Familjarë, bashkëshortë, kunata dhe ish-drejtorë të lidhur me pushtetin, ngjiten me shpejtësi në hierarki.
* Demokracia dobësohet. Një gjyqësor i komanduar nuk garanton më ndarjen e pushteteve, por kthehet në zgjatim të ekzekutivit.
Në vend që të prodhonte një sistem gjyqësor të pavarur dhe profesional, Reforma në Drejtësi po krijon një kastë të re gjyqtarësh, që nuk kanë si kapital përvojën, integritetin apo meritën, por lidhjet e tyre me pushtetin./ BoldNews/