Në qendër të vëmendjes/ Reperi nepalez, kryetar bashkie, i preferuari i të rinjve për zgjidhjen e krizës politike

Kryebashkiaku i Katmandusë, Balendra Shah, një zyrtar i zgjedhur në mënyrë të pazakontë, i ri në politikën nepaleze të dominuar nga ligjvënës me përvojë, është shfaqur si një nga të preferuarit midis të rinjve për t'i përfaqësuar ata në një qeveri të përkohshme.

Kryebashkiaku 35-vjeçar i kryeqytetit, një ish-reper i cili shfaqet shpesh në Instagram dhe në publik i veshur me një xhaketë të errët dhe syze dielli, është në qendër të vëmendjes pas protestave vdekjeprurëse, që shkaktuan dorëheqjen e kryeministrit Khadga Prasad Sharma Oli, 73 vjeç.

"Ti duhet të jesh kryeministri ynë i ri", tha Rewant Adhikari në X, një nga shumë të tillë, që i kanë kërkuar Shahut të kandidojë për kryeministër dhe përfundimisht të zëvendësojë Olin. "Rroftë Nepali!"

Protestat kundër korrupsionit të kësaj jave që vranë 19 persona u organizuan nga grupi "Gen Z Nepal", i cili mbështetet nga më shumë se gjysma e 30 milionë banorëve të vendit që janë më të rinj se 30 vjeç, por shpesh të udhëhequra nga kryeministra dy herë më të vjetër se ata.

Shah duhet të jetë midis përfaqësuesve të Gjeneratës Z që zhvillojnë bisedime me Presidentin Ram Chandra Poudel, për të hartuar hapat e ardhshëm për kombin Himalayan, tha Balaram KC, një ish-gjyqtar i Gjykatës Supreme dhe ekspert kushtetues.

Shah nuk ka ofruar asnjë përgjigje të detajuar ndaj thirrjeve. Reuters nuk mundi ta kontaktonte menjëherë, pasi telefoni i tij celular ishte i fikur dhe zyra e tij refuzoi një kërkesë për ta intervistuar.

I njohur gjerësisht si Balen, inxhinier strukturor me profesion, fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie të vitit 2022 si kandidat i pavarur, duke sfiduar sistemin tradicional partiak të Nepalit dhe duke u bërë simbol i përçarjes politike.

Ndër këngët e tij rep, "Balidan", ose "Sacrifice", e publikuar në vitin 2020, spikat, me më shumë se 11 milionë shikime në YouTube për kritikën e saj ndaj korrupsionit, padrejtësisë sociale dhe dështimeve të qeverisjes.

Në llogarinë e tij në Instagram, të ndjekur nga më shumë se 800,000 njerëz, Shahu me mjekër të dendur ka shprehur vazhdimisht mbëhstetjen e tij për protestuesit, duke e quajtur Olin një "terrorist" që nuk e kuptonte "dhimbjen e humbjes së një djali ose vajze".

PËRFAQËSUES I PËRKOHSHËM

Një projekt-politikë e përgatitur nga grupi Gen Z Nepal, e emëron Shahun si një përfaqësues të mundshëm të lëvizjeve rinore dhe protestuese, në një Këshill të Autoritetit të Përkohshëm Neutral të propozuar për të rivendosur ligjin dhe rendin dhe për ta udhëhequr Nepalin drejt zgjedhjeve pas rreth 18 muajsh.

Ai do të ulet në këtë organ së bashku me teknokratët dhe udhëheqësit e shoqërisë civile, sipas dokumentit të parë nga Reuters.

Shah ka thënë se nuk iu bashkua protestave sepse ato ishin kryesisht për njerëz nën 26 vjeç, të cilët e shihnin atë në krahasim si një burrë të moshuar, por shtoi se ishte e nevojshme t'i dëgjonte ata.

Të martën, ai i paralajmëroi protestuesit për sfidat që i prisnin. "Tani brezi juaj do të duhet të udhëheqë vendin!" tha ai. "Jini të përgatitur!"

I lindur në vitin 1990 në Katmandu, Shah studioi inxhinieri civile në Nepal dhe përfundoi një master në inxhinieri strukturore në Indi. Revista Time e renditi atë midis 100 liderëve më të mirë në zhvillim të vitit 2023.

Analistët thonë se mandati i Shahut si kryetar bashkie, është karakterizuar nga përpjekjet kundër korrupsionit, reformat urbane dhe një prani e fortë në mediat sociale.

Ai ka përmirësuar infrastrukturën për këmbësorë, ka goditur akuzat për evazion fiskal nga shkollat ​​private dhe ka nxitur një mbikëqyrje më të mirë të arsimit publik.

«Të rinjtë duan që ju të dilni përpara si një zëdhënës i përkohshëm gjatë këtij tranzicioni», i tha profesionisti i ri i IT-së Pramod Kandel Shah në X.

"Në planin afatgjatë, ne kemi nevojë që ju... të punoni me, madje edhe nën udhëheqjen e, udhëheqësve të tjerë jo të korruptuar që kanë demonstruar kompetencë, integritet dhe dashuri për vendin."/ Reuters.